Procedurat që duhet të ndiqen deri te arritja e shërbimit ushtarak të obligueshëm
Shërbimi ushtarak i obligueshëm në Kosovë ishte njëra prej pikave të planit qeverisës të kryeministrit të ri, Albin Kurti të prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pikërisht në ditën kur ky i fundit mori detyrën e shefit të ekzekutivit.
Sipas tij, një shërbim i tillë do të ndihmojë FSK-në, në përmbushjen e detyrave në fushën e mbrojtjes, shkruan FaktePlus.
Mirëpo, cilat procedura duhet të ndiqen deri te arritja e këtij procesi.
Ish- komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati, në një intervistë për FaktePlus, thotë se së pari duhet të bëhet një ekip ekspertësh dhe të studiohet thellësisht gjendja e buxhetit, infrastrukturës dhe ajo e armatimit.
“Fillimisht duhet dhe unë kisha rekomandu të bëhet një ekip ekspertësh që të ulen, të studiojnë mirë e thellësisht se sa buxhet, çfarë infrastrukture, çfarë pajisje, çfarë armatimi i nevojitet kësaj force dhe kur do të bëhej kjo. Unë dua ta them edhe këtë, që në shatë vitet e ardhshme Kosova është në mënyrë obligative që ta përmbush atë planin gjithëpërfshirës që të ngris kapacitetet e planifikuara të Forcës së Sigurisë, por edhe të partnerëve tonë strategjikë dhe për shtatë vite ne nuk mund të lëvizim asnjë milimetër, as majtas e as djathtas, përderisa ne i ngritim këto kapacitete operacionale dhe pas shtatë vite atëherë ne mund të llogarisim nëse i studiojmë deri atëherë, mund të llogarisim se çfarë modaliteti do ta përqafojmë për me pas një shërbim të detyrueshëm ushtarak”, ka thënë Kastrati për FaktePlus.
Por, thotë se fillimisht për gjithë këtë proces duhet të përmirësohet infrastruktura ligjore.
“Duhet infrastruktura ligjore fillimisht të përmirësohet, duhet të planifikohet ndërtimi i infrastrukturës, ai ushtar duhet ta ketë një krevat, duhet ta ketë një tush, ushqim, duhet ta ketë një vend ku të stërvitet dhe të gjitha këto nuk i ka Ushtria e Kosovës dhe duhet të ndërtohen”, ka thënë ai.
Mirëpo, nuk ka lënë pa përmendur edhe blerjen e armatimit e çështje të tjera.
“Duhet të planifikohet blerja e armatimeve, blerja e pajisjeve, blerja e pajisjeve individuale që janë shumë të kushtueshme, duhet çdo komunë të hap një zyrë pranë komunës që duhet të bëjë evidentimin e këtyre rekrutëve se çfarë specialiteti do ta kenë ata , dikush do të jetë këmbësori, dikush komunikim, dikush IT, dikush aviacion, dikush artileri, pra ka shumë specializime në ushtri dhe ajo zyre duhet t’i mbajë këto evidenca për arsye që nesër Kosova nëse rrezikohet nga jashtë atëherë duhet të bëhet mobilizimi dhe mobilizimi bëhet në bazë të atyre specifikave apo në baza të trajnimit që e kanë bërë gjatë shërbimit ushtarak dhe kjo është një detyrë mjaft komplekse që duhet jashtëzakonisht shumë punë, duhet infrastrukturë ligjore, duhet të bëhet një studim i thellë se çka nevojitet që të bëhet kjo punë dhe kjo nuk shkon vetëm me një deklaratë politike, por kjo duhet të studiohet mirë, duhet të analizohet mirë dhe pastaj të veprohet”, ka thënë ish-komandanti Kastrati./FaktePlus