Problemet kryesore në Kosovë sipas UNDP
Papunësia, korrupsioni dhe varfëria, vazhdojnë të mbesin problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, është thënë në raportin, Pulsi Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Menaxheri i këtij projekti, Arben Qirezi, ka thënë se 29.4 për qind e qytetarëve të anketuar, e kanë renditur papunësinë në Kosovë si problem kryesor, kurse 23.4 për qind të tjerë korrupsionin.
Sipas të dhënave, për 8.6 për qind të respodentëve konsiderojnë se varfëria është problemi më i madh për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë në raport është thënë të jetë vërejtur rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve.
“Është një rritje e ndjeshme e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e gjykatave dhe zyrën e prokurorit të shtetit. Ka pasur rritje të kënaqshmërisë me punën e kryetarit të kuvendit, Kuvendit dhe Qeverisë. Rënie shumë të lehtë ka pasur kënaqshmëria me punën e presidentit të Kosovës, ka një rënie prej 0.7 për qind. Megjithatë niveli i kënaqshmërisë me punën e presidentit të Kosovës, prin në raport me nivelin e kënaqshmërinë me punën e institucioneve tjera”, është shprehur Qirezi.
Liria e shprehjes, sipas këtij raporti, ka shënuar një rritje prej 6 për qind, derisa rritje ka pasur edhe besueshmëria e qytetarëve për punësim në sektorin publik në bazë të meritokracisë.