Pritjet e qytetarëve nga qeveria e ardhshme
Një ditë pasi në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme dhe tashmë numërimi i votave është në përfundim, rezultatet tregojnë se përcaktimi i qytetarëve ka qenë pro ndryshimit të qeverisjes.
Rezultatet aktuale tregojnë se kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje është fituese, kurse e dyta ka dalë LDK-së, e pasuar mandej nga AAK-ja dhe Nisma.
E pasi kanë dhënë votën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, qytetarët thonë se tani po presin që sa më parë të formohet edhe qeveria e ardhshme.
Ata thonë se presin që vendi duhet të ecë më shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe të mos ndodh edhe më tutje largimi i të rinjve për shkak të kushteve të rënda.
Madje ata parashikonin dhe shprehnin dëshirat e tyre se kush me kë duhet të bëjë koalicion qeverisës, dhe se a është në të mirë të vendit apo jo.
Ndërsa sipas KQZ kësaj radhe numri i votuesve ishte më i madh se në zgjedhjet e mëhershme, pasi kane dalë të votojnë rreth 900 mijë qytetarë.
Duhet thënë se mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve ka qenë mirë, pasi nuk është evidentuar ndonjë shkelje që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor.