Prishtina përzgjedh kompaninë për të rrënuar objektet pa leje
Ndërtimeve pa leje në kryeqytet duket se po u vjen fundi. Për gjithë ato objekte që kanë ngulfatur kryeqytetin, Komuna e Prishtinës tashmë ka marrë një vendim dhe ka përzgjedhur kompaninë, e cila do të kryej rrënimin e tyre.
Tashmë Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga kryetari Shpend Ahmetit, ka dhënë tender për rrënimin e këtyre objekteve me procedurë emergjente.
Objektet pa leje do t’i rrënojë kompania “Agro Invest 1” Sh.P.K.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për dhënien e tenderit.
Për rrënimin e objekteve pa leje, komuna e Prishtinës kishte paraparë të jepte 45 mijë euro. Por tenderi i është dhënë “Agro Invest 1”SH.P.K me çmimin prej 31 mijë e 480 euro.
E sipas tenderit “Rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje – procedurë emergjente”, është kërkuar që kompania që do të bëjë rrënimin e objekteve pa leje të ketë 3 kamionë vet-shkarkues me peshë bartëse minimumi 12 metra në kub apo edhe më shumë.
Veç këtyre është kërkuar edhe një kamion vet-shkarkues me peshë bartëse minimumi 20 metra kub apo më shumë, një kamion me peshë bartëse minimumi 3.5 ton apo më shumë.
Janë edhe dy ekskavatorë që me lugë ngarkuese minimumi 20 tonë si dhe ekskavator me lugë ngarkuese minimumi 15 ton.
Në Komunën e Prishtinës nuk janë të pakta ndërtimet pa leje. Në Regjistrin Shtetëror të Ndërtimeve pa leje, janë 46 mijë ndërtime të këtij lloji. Kurse në gjithë Kosovën objekte pa leje janë 352 mijë.
Këto janë regjistrimet që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kishte bërë publike qysh në vitin 2015.
Këtu hyjnë të gjitha ndërtimet pa leje që prej vitit 1960 e të ndërtuara deri më datë 30 gusht 2013, kur edhe është bërë incizimi satelitorë i Kosovës.
Komuna e Prishtinës vite më parë ka nisur procesin e legalizimit, por për shkak të problemeve të shumta ky proces ka dështuar.
Komuna e Prishtinës, gjatë vitit 2019, ka lëshuar 69 leje për ndërtime, qoftë ndërtim individual apo banesor./FaktePlus