Prishtina fiton derbin ndaj Feronikelit, shton presionin ndaj Dritës
Prishtina e ka fituar derbin ndaj Feronikelit në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës me rezultat 3-1.
Pas vetëm 11 minutash lojë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, bardhekaltrit kaluan në epërsi me golin e Otto John që u asistua nga Armen Thaçi.
Por, as një minutë nuk kaloi nga goli i epërsisë së vendasve, kur Albert Dabiqaj i Niklit i barazoi shifrat në 1-1 me një harkim të Da Silvës.
Prishtina më pas filloi me disa aksione të bukura për ta rikthyer epërsinë, duke rrezikuar sërish me anë të John (35’), por goditja e tij u ndal nga portieri Deniz Troshupa.
Kur u mendua se pjesa e parë por përfundonte me barazim, Guthier Mankenda shënoi në minutën e 45-të nga një top i kthyer prej portierit kundërshtar Troshupa.
Në pjesën e dytë ishte po ashtu një dominim i Prishtinës, e që në minutën e 57-të, Ahmed Januzi e thelloi epërsinë e vendasve.
Yll Hoxha (67’) bëri një gjuajte nga distanca, por nuk kishte probleme për Visar Bekajn që e dëboi topin në fundore.
Feronikeli edhe një herë rrezikoi, tani me anë të Mevlan Zekës në minutën e 78-të, mirëpo Bekaj ishte sërish në vend.
Në fund, Prishtina arriti të ruante rezultatin dhe mori tri pikë mjaftë të vlefshme në javën e 27-të.
Skuadra e udhëhequr nga Armend Dallku gjendet në pozitën e dytë me 54 pikë, katër më pak se lideri Drita, ndërsa Feronikeli është në vendin e pestë me 44 sosh.