Pretendimi i Prokurorisë Speciale për gjyqtarin Sali Berisha
Gjyqtari Sali Berisha nga Peja, i cili do të duhej të premten të merrte vendim për disa të akuzuar për korrupsion, do të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë, shkaku i dyshimeve se është përfshirë në një aferë korrupsioni.
Gjyqtari i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë është sjellë në orët e pasdites të së premtes në Pallatin e Drejtësisë, shkruan sot Koha Ditore. Prokurori special, Blerim Isufaj, ka kërkuar në seancën e mbyllur për media 30 ditë paraburgim për gjyqtarin, të cilin Këshilli Gjyqësor i Kosovës disa orë pas arrestimit e ka pezulluar nga puna.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kurtaj, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe i ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh Berishës.
Pas seancës dëgjimore për përcaktimin e masës së paraburgimit, e cila ka zgjatur rreth një orë, avokati i Berishës, Gëzim Kollçaku, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk ka pasur prova mbi të cilat ligjërisht mund të bazohet arrestimi i klientit të tij.
Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe armëmbajtje pa leje, por jo edhe marrje të ryshfetit.