Prestreshi tregon se a ka shkelje në rritjen e çmimit të maskave
Valon Prestreshi nga Autoriteti i Konkurrencës ka folur se si trajtohen rritjet e çmimeve në raste emergjencash.
Pas shpërthimit të koronavirusit është raportuar se në Kosovë është rritur çmimi i maskave deri në 3 euro, megjithatë sipas Prestreshit ende nuk kanë gjetur ndonjë shkelje nga ana e barnatoreve.
Ai thotë se shkelje llogaritet vetëm atëherë kur ka një bashkërendim të bizneseve për çmimin e një produkti.
“Duhet ta kuptojmë se çfarë thonë parimi i mikroekonomisë. Kur kërkesa është e lartë apo bie furnizimi është tërësisht normale që çmimi të ngritët në një ekonomi të tregut të lirë. Këto janë parime themelore. Në çështjet emergjente, vetëm në SHBA kur ka ndonjë uragan kur presidenti e shpall gjendjen emergjente, ka pasur raste kur bizneset e kanë ngritur çmimet shumë të larta. Në këtë rast duhet të trajtohet nga Prokuroria pasi është çështje penale. Ne nuk i trajtojmë të tilla si penale, por më shumë civile”, u shpreh Prestreshi.
Sipas tij në çështjen e maskave, nuk ka ndonjë gjendje emergjente.
“Është paniku, dhe bizneset e shfrytëzojnë situatën e tillë për të rritur çmimet. Shkelje është në atë moment kur bizneset i bashkërendojnë çmimet në mënyrë të shkruar apo gojore. Ne kemi vendosur disa hetues nëpër barnatore për të shikuar situatën. Deri tani janë vizituar tetë barnatore nga të cilat vetëm dy prej tyre kanë pasur maska, njëra e ka shitur një euro, e tjetri tri euro. Ka në të tjera që janë 50 cent, apo 10 cent. Pra, nuk ka bashkërendim. Ka diferenca në çmim dhe nga rrafshi i konkurrencës konsiderojmë se është një situatë normale”, ka thënë Prestreshi në KTV.
Prestreshi shton se nëse ndodhin marrëveshjet atëherë është puna e Autoritetit të Konkurrencës që t’i gjejnë ato dhe të marrin masat.
Tutje ai ka folur për naftëtarët, ku dyshohet se ka pasur shkelje.
“Ka qenë një hetim një vjeçar, të gjitha procedurat i kemi mbaruar. Tani jemi në fazën e përpilimit të vendimit përfundimtar ndaj naftëtarëve. Ne jemi si gjysmëgjykatë dhe do të dalim me një vendim. Një hetim të tillë e kishim filluar mbi bazën e një marrëveshje të bashkërenduar, e cilësuar si marrëveshje e heshtur. Ato nuk janë me shkrim, por faktet mund të gjenden duke shikuar se si kanë lëvizur çmimet. Mbetet mbi komisionin e Autoritetit për të nxjerrë një vendim, dhe këtë do të sjellim brenda 90 ditëve”, ka thënë Prestreshi.
Ai ka bërë të ditur se Autoriteti i Konkurrencës në të kaluarën ka dënuar kompanitë e sigurimeve, 10 sosh, me nga 100 mijë euro dhe dy kompani që i kanë shitur arkat fiskale për abuzim me pozitat dominuese me nga 100 mijë euro.
“Pra, në këto dy raste i kemi gjobitur me 1.2 milion euro. Gjoba maksimale është 10 për qind e qarkullimit vjetor. Qytetarët e Kosovës kanë konsumuar 649 milionë litra naftë për vitin 2018”, u shpreh Prestreshi.
Ai gjithashtu ka thënë se i ka dërguar një shkresë zyrtare ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku rreth çështjes së monopolit në homologim dhe tani pritet një vendim nga ana e tij./FaktePlus