Prestreshi për gjobën 4 milionëshe ndaj naftarëve – shihemi në gjykata
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ditë më parë ka njoftuar se i ka gjobitur me mbi 4 milionë euro, 14 kompani të derivateve të naftës, pasi është pretendon se është vërtetuar se ato kanë manipuluar me çmime të derivateve. Por, këtë vendim po e kundërshtojnë pronarët e kompanive. Madje, ata kanë ngritur dyshime mbi këtë vendim dhe kanë paralajmëruar padi në gjykata.
Janë 14 kompani të derivateve që me 8 maj edhe zyrtarisht e kanë marrë lajmin se janë dënuar me mbi 4 milionë euro, nën dyshimin se kanë bërë marrëveshje për çmimet.
Vendimin për dënimin e tyre gjatë ditës e ka bërë publike Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, konkretisht kryetari i saj Valon Prestreshi.
Por, me këtë vendim nuk janë pajtuar pronarët e kompanive që janë gjobitur. E dyshime ka edhe për listën e kompanive që janë gjobitur, pasi aty nuk janë përfshirë të gjitha. Pronarët kanë paralajmëruar padi në gjykata.
E pas kundërshtimeve të shumta për gjobën, ka reaguar sot kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi.
Ai tha se vendimi i fundit i AKK-së për rastin “nafta” është vendim përfundimtar, ndërsa ka kërkuar nga të gjithë që të përmbahen nga opinionet publike të pamatura dhe t’ju binden vendimeve të një institucioni të pavarur të Kuvendit.
“Meqë ndërmarrjet kanë paralajmeruar padi në konflikt administrativë pranë gjykatave kompentente, rasti do të bëhet më interesant dhe më i ndjeshëm. Andaj interferimet dhe komentimet e të tjerëve rreth Vendimit të AKK-së mund të cilësohen si ndërhyrje dhe presion ndaj institucioneve gjygjësore dhe atyre të pavarura”, ka shkruar sot Prestreshi, raporton FaktePlus
Ai shtoi se për herë të parë në Kosovë, me seriozitetin më të lartë do të trajtohet një rast i konkurrencës të nivelit të Komisionit Evropian, pranë gjykatave tona.
“Ju njoftoj se në Kosovën tonë të dashur, për herë të parë, me seriozitetin më të lartë do të trajtohet një rast i konkurrencës të nivelit të Komisionit Evropian, pranë gjykatave tona. Këtë vendim Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta mbrojë me profesionalizimin më të lartë pranë gjykatës në bashkëpunim edhe me projektin e financiar nga Komisioni Evropian. Është rast i madh por edhe i rëndësishëm në ngritjen dhe avancimin e subjektivitetit të shtetit tonë karshi Komisionit Evropian”, është shprehur Prestreshi
Sipas tij, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, gradualisht është duke u rreshtuar me nivelin e Bundeskartellamt të Gjermanisë, AZTN-së së Kroacisë dhe Autoritetit Federal të Konkurrencës së Austrisë dhe të tjerë.|FaktePlus
Dyshime e reagime për gjobën 4 milionëshe: Ku u bazua vendimi dhe pse disa kompani nuk u gjobiten