Prestreshi: Autoriteti i Konkurrencës nesër mban mbledhje urgjente për rritjen e çmimeve
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se nesër do të mbajë mbledhje urgjente me komisionin e AKK, pasi Qeveria e Kosovës propozoi që të formohet një komision ekzekutiv për monitorimin e keqpërdorimit të çmimeve të produkteve ushqimore.
Ai tha se do të koordinohen me Qeverinë për çdo veprim.
“Pas shumë shqetësimeve që i kemi pranuar nga qytetarët dhe opinioni publik për rritjen e produkteve ushqimore gjatë situatës së krijuar të COVID-19, dhe pas mbledhjes urgjente tē qeverisë së Kosovës që u mbajt sonte në ora 20:00, zëvendëskryeministri Hoti propozoi një Komision Ekzekutiv në përbërje të Autoritetit të Konkurrencës dhe disa Ministra për ta monitoruar keqpërdorimin e çmimeve në situatën e tillë emergjente”, ka bërë të ditur Prestreshi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen urgjente të Qeverisë sonte pas vendimit që të mbyllen shkollat shkaku i coronavirusit, tha se duhet formuar një komision që monitoron rritjen e çmimeve të produkteve.
Qeveria e Kosovës mori vendim për mbylljen e institucioneve shkollore në tërë vendin deri më datë 27 mars, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.