Presidenti Trump e ndërron shefin e stafit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka ndërruar shefin e stafit, duke e shkarkuar personin që deri më tash ishte duke shërbyer në këtë pozitë, Mick Mulvaney. Ky veprim ishte paralajmëruar për një kohë të gjatë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se në postin e shefit të stafit tash e tutje do të shërbejë ligjvënësi nga Karolina Veriore, Mark Meadows.
Në anën tjetër, i larguari nga pozita, Mulvaney, tashmë do ta ketë pozitën e të dërguarit special në Irlandën Veriore, shkruan “BBC”.
Ish-shefi i stafit besohet të ketë pasur ndikim në hetimet e vitit të kaluar kundër presidentit amerikan në lidhje me presionin ndaj Ukrainës.
Javën e kaluar, Mulvaney nxiti shumë reagime pasi i akuzoi mediet amerikane se janë të interesuara që të raportojnë vetëm për koronavirusin sepse, sipas tij, ato mendojnë se kjo çështje do ta rrëzojë nga pushteti presidentin Trump.