Presidenti Thaçi kujton Hafir Shalën, mjekun e orëve të para të UÇK- së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tash e një kohë është duke përkujtuar njerëz që kanë ndikuar në formësimin e tij, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Pas Hasan Prishtinës, Ukshin Hotit, Adem Demaçit e shumë të tjerëve, radha i erdhi mjekut të parë të UÇK- së, Hafir Shalës.
“Tërë kapacitetin intelektual dhe shpirtin humanitar, dr. Hafir Shala e vuri në shërbim të popullit, si mjek, në periudhën kur shëndetësia e Kosovës u largua nga institucionet. Me daljen publike të UÇK-së, dr. Hafir Shala me guxim qytetar dhe përgjegjësi atdhetare ishte aty ku duhej, pranë luftëtarëve të lirisë, duke i shëruar dhe inkurajuar.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Tutje Presidenti tregoi edhe se si u zhduk Shala në vitin 1998, shkruan FaktePlus.
“Duke qenë në krye të misionit të tij profesional dhe patriotik, dr. Hafir Shala u kidnapua nga strukturat e sigurisë serbe në prill 1998, në rrugë e sipër për të siguruar barnat e domosdoshme për ushtarët e plagosur. Për fat të keq ende nuk dihet për fatin e mjekut, ish të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë të shekullit që shkoi.”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi, gjithashtu, tha se emri i doktor Hafir Shalës hyn në radhën e emrave që i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dr. Hafir Shala është i zhdukur tash e 22 vite dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë pasi autoritetet serbe kanë refuzuar të japin informata për të.
Hafir Shala, i biri i Shehide dhe Jusuf Shalës,u lind më 5 shkurt 1960 në fshatin Krajkovë të komunës së Drenasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme në Drenas, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Kroaci, drejtimi mjekësi e përgjithshme, ku edhe doktoroi.
Në Kroaci ai ishte një ndër themeluesit e grupit të Kroacisë, së bashku me Fehmi Lladrovcin. Ai u dënua me pesë vite burg nga autoritetet serbe, por pas katër viteve u lirua.
Pas përfundimit të studimeve, Dr. Hafiri u kthye në vendlindje, për të dhënë kontribut jo vetëm në profesionin e tij, por edhe në çështjen kombëtare. Ai ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, të formuar nga Adem Demaçi.
Si mjek punonte në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, në fshatin Baicë dhe Nekoc. Më pas hapi qendrat e mjekësisë familjare “Nënë Tereza” në fshatrat Krajkovë, Çikatovë të re dhe Komoran, të cilat vepronin në mënyrë ilegale.
Në qendrën e mjekësisë në Krajkovë mbahej salla e operacioneve, të cilën Doktori e solli nga jashtë Kosovës, e cila iu shërbeu pjesëtarëve të UÇK-së që ishin të plagosur.
Dr. Hafir Shala mori pjesë edhe në pajtimin e gjaqeve. Më 31 janar 1990 Doktori e fali gjakun e xhaxhait të tij, Ibish Shalës.
Dr. Hafiri, së bashku me komandant Fehmi Lladrovcin, Adem Demaçin e Adem Jasharin i formuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hafir Shala ishte mjeku që i trajtoi të plagosurit në Likoshan, më 28 shkurt 1998 dhe familjen Jashari më 6,7 dhe 8 mars 1998, shkruan FaktePlus.
Me fillimin e luftës, rruga Krajkovë- Prishtinë u bë rutinë për të. Ai udhëtonte çdo ditë për në Prishtinë që të pajiset me barna që t’i shëroj plagët e civilëve dhe ushtarëve shqiptarë.
Por një ditë vajtja në Prishtinë u bë shkas i zhdukjes së tij. Në mëngjesin e 10 prillit të vitit 1998, në Sllatinë të Fushë Kosovës, Dr. Hafiri bashkë me dy shokët e tij, Hetem Sinani dhe Shaban Neziri, u ndalën nga një xhip i zi i blinduar i policisë serbe dhe u arrestuan. Shaban Neziri e Hetem Sinani u liruan, por Doktori jo.
“Do shkoj vetëm edhe nesër të marrë barna dhe pastaj do vijë këtu të jem me UÇK-në”, kishte thënë Doktori një natë përpara, por ai nuk u kthye më.
Janë bërë 20 vite prej rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, fatkeqësisht me mallin për të kanë ndërruar jetë dy prindërit dhe motra e Doktorit.