Presidenti Thaçi e bllokon zyrtarizimin e anëtarit të fundit në KQZ nga radhët e AAK-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon të mbetet me një anëtar më pak, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk e ka ftuar për betim anëtarin e që e ka propozuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Nga Presidenca nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se kur do të zyrtarizohet Ibrahim Selmanaj, anëtari i dytë nga koalicioni PAN.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar me zyrtarët e Presidencës, të cilët një herë kërkuan kohë shtesë për të dhënë një përgjigje, por më pas nuk janë lajmëruar.
Ish- deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për FaktePlus se subjekti i tyre ka kohë që e ka dërguar emrin e Ibrahim Selmanajt dhe se janë në pritje të presidentit që ta zyrtarizojë.
Ai tutje shton se me emërimin e këtij anëtari do të kompletohet KQZ-ja, duke marrë parasysh se vendi është në prag të zgjedhjeve.
“Është e pakuptimtë që Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk e ka emëruar ende anëtarin e KQZ-se, nga radhët e AAK-së. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kohë që ka dërguar emrin e Ibrahim Selmanajt për anëtar të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe presim që Presidenti i Republikës së Kosovës të zyrtarizojë në mënyrë që të bëhet kompletimi i KQZ-së, sidomos duke pasur parasysh se jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë ai.
Nitaj ka theksuar se presidenti Thaçi ditë më parë ka emërua kandidatin nga radhët e PDK-së, por nuk veproi njëjtë me kandidatin e AAK-së.
Vetëm edhe një anëtar i duhet Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të kompletohet. Ndonëse pas emërimit të tetë anëtarëve të rinj politikë, ish- koalicioni PAN kishte kërkuar nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion.
Një kërkesë e tillë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila mori vendim që si koalicion kishin të drejtë të emëronin vetëm dy anëtarë.
Listës së tetë anëtarëve dhe kryetares Valdete Daka, në gusht iu bashkua edhe anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, por që emërimi i tij nuk e kompletoi këtë organ. Kishte mbetur që në mes AAK-së dhe Nismës të vendoset se cila do të duhej të dërgonte një anëtar në këtë institucion, e një emër për emërim në KQZ e ka dërguar AAK-ja.
Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje, një nga Partia Demokratike e Kosovës dhe katër nga komunitetet jo shumicë./FaktePlus