Presidenti relaksohet për vikend në Vlorë
Java që lamë pas ishte me plot tensione në skenën politike.
Ditën e tretë të këtij muaji, u votua qeveria e re e Kosovës, në krye me Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Votimi i kësaj qeverie erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit, Hashim Thaçi, për dekretimin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Republikës.
Koalicioni bashkëqeverisës LDK-AAK-NISMA dhe Lista Serbe, morën vetëm 61 vota për formimin e qeverisë.
Vota e cila bëri diferencën, ishte ajo e shefit të Grupit Parlamentar të NISMA-s, Haxhi Shala, i cili tha se pas deklarimit se nuk do ta votojë këtë qeveri, ka ndërruar mendje.
Vota e tij “për”, erdhi pas ‘këshillimit’ që mori nga presidenti Thaçi bashkë me kreun e AAK-së dhe ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.
Thaçi dhe Haradinaj, një natë para seancës në të cilën do të votohej Qeveria Hoti, kishin shkuar në shtëpinë e Shalës për ta bindur që ta votojë këtë qeveri.
Qeveria u formua dhe filloi të marrë vendime mjaft të rëndësishme.
Në ditën e dytë të qeverisjes, Hoti ia delegoi Thaçit përfaqësimin e Kosovës në negociota.
Po ashtu, dje, qeveria shfuqizoi vendimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve javore, presidenti Thaçi është parë të kalojë fundjavën në bregdetin shqiptar, përkatësisht në Vlorë.