Presidenti i Shqipërisë: Sot jam pranë Nënës Ruke, zemra e së cilës ka njohur dhimbje mbinjerëzore
Deklarata e një deputeteje të Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka nxitur reagime në gjithë Kosovën. Ajo si në formë akuze për ish Kryeministrin Ramush Haradinaj ka përmendur se ‘nëna e tij u shërua jashtë shtetit’. Por, reagimet ishin të ashpra pasi e konsideronin fyese për nënën që dha dy djemtë dëshmorë e tre të tjerë të plagosur në luftë.
Reagime janë ngjallë edhe përtej kufijve të Kosovës. Është hiq më pak se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta që ka shkruar fjalë për nënën e Haradinajt, pikërisht sot kur edhe është përvjetori i rënies së Shkelzen Haradinajt.
“Sot kujtojmë jo vetëm Ditën e Eksodit biblik të Shqiptarëve të Kosovës, por edhe dëshmorët dhe heronjtë të cilët dhanë jetën për lirinë e saj.
Kujtojmë në veçanti dëshmorët e betejës së Maznikut, Luan e Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe heroin e UÇK-së, Shkëlzen Haradinaj. Ndaj sot jam pranë Nënës Ruke, zemra e së cilës ka njohur dhimbje mbinjerëzore, pranë Ramushit dhe Dautit, pranë Luanit të ri të Haradinajve, familjes së dashur Haradinaj, pranë familjeve të Gllogjanit dhe të mbarë Kosovës, që e paguan me jetën e njerëzve më të shtrenjtë çmimin e lirisë dhe pavarësisë. I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve dhe heronjve!”, ka shkruar Meta në Facebook.
Pas reagimeve të shumta që mori lidhur me deklaratën e saj për nënën e ish’kryeministrit Ramush Haradinaj, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ka thënë se nuk e ka fyer askënd vetëm e ka thënë të vërtetën.
Pacolli përmes një shkrimi në Facebook thotë se ka treguar se si është udhëhequr vendi tash e 20 vite e nuk është investuar asgjë për përmirësimin e kushteve në spitalet e Kosovës.
“Unë nuk kam fyer nënën e askujt. Kam treguar sesi ata që kanë udhëhequr me vendin nuk kanë investuar asnjë cent në përmirësimin e kushteve në spitalet tona ku të gjitha nënat e sidomos nënat e dëshmorëve e të zhdukurve, që sot jetojnë në varfëri të skajshme e që nuk kanë pasur rastin të kenë ndonjë djalë/vajzë president/ministër e kryeministër, të kenë një vend ku mjekohen e trajtohen me dinjitet në vendin për të cilën flijuan fëmijët e tyre. Kam thënë sesi ata që kanë udhëhequr këtë vend për 20 vjet ua kanë mohuar të drejtën e shkollimit cilësor fëmijëve të dëshmorëve e veteranëve të vërtetë që sakrifikuan për këtë vend. Ata që kanë udhëhequr me vendin për 20 vjet na kanë fyer të gjithëve”, ka deklaruar ajo.