Presidenti i La Ligës tregon se cili lojtar ka qenë më i rëndësishmi gjatë historisë së ligës
Asnjë futbollist nuk ka qenë ndonjëherë më i rëndësishëm në La Liga sesa Lionel Messi, sipas mendimit të presidentit të ligës spanjolle, Javier Tebas.
Argjentinasi ka bërë vazhdimisht paraqitje të mrekullueshme për Barcelonën, që kur iu bashkua kësaj skuadre në vitin 2000, kur u bë pjesë e ekipit të të rinjve. Gjatë këtyre 19 vjetëve në Spanjë, Messi ka thyer rekord pas rekordi e tani njihet nga shumë njerëz si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.
Messi është shpërblyer për arritjet e tij si me çmime individuale, ashtu edhe me tituj të fituar bashkë me Barcelonën. Ai e ka fituar pesë herë Topin e Artë, shtatë herë çmimin për lojtarin më të mirë të La Ligas, në mesin e shumë të tjerëve.
Ndërsa, me Barcelonën është treguar i suksesshëm në shumë gara dhe në kabinetin e klubit i ka shtuar plot 32 trofe, ndër të cilat janë edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe nëntë tituj të La Ligës.
“Messi është pjesë e Barcelonës dhe kjo gjë do të qëndrojë kështu. Ne e konsiderojmë atë si pjesë të La Ligas dhe ai i lë prapa të gjithë lojtarët normalë”, ka thënë Tebas.
“Ai është një ikonë, lojtari më i rëndësishëm që ka qenë ndonjëherë pjesë e ligës sonë. Ai është një nivel mbi të gjithë”.
Përkundër që është 31-vjeçar, Messi ka vazhduar t’i lë të gjithë gojëhapur me paraqitjet e tij të këtij sezoni. Ai i ka shënuar 30 gola dhe i ka asistuar 17 të tjera në vetëm 31 ndeshje. Argjentinasi i kryeson listat për më së shumti gola të shënuara dhe më së shumti asiste në Evropë, përkundër që dy lëndime e kishin lënë atë jashtë fushës për disa ndeshje.