Presidenti e dekreton ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta
Presidenti i Republikës Hashim Thaçi e ka dekretuar projektligjin e statusit të punëtorëve të arsimit të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus nga burime brenda presidencës, ka siguruar dekretimin e Presidentit Thaçi i cili do të hyjë në fuqi nga data e nënshkrimit të tij.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në fund të muajit shkurt, në lexim të dytë Projektligjin për punëtorët e arsimit shqip të viteve të ’90-ta.
Me 71 vota pro ka kaluar ky projektligj. Kështu punonjësit e arsimit për ato vite do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.
Nga SBAShK-u sqarohet se pas dekretimit që këto ditë pritet ta bëjë presidenti, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, që rrjedhimisht pagesat do të fillojnë të bëhen gjatë muajit prill të këtij viti.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro. Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe. /FaktePlus