Presidenti Biden nënshkruan paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh
Paketa mori të mërkurën miratimin përfundimtar të Kongresit, duke i dhënë presidentit demokrat një fitore të madhe në këto muaj të parë të mandatit të tij.
“Ky ligj historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi”, tha Biden para nënshkrimit.
Biden e nënshkroi ligjin përpara një fjalimi të enjten në mbrëmje që përkon me përvjetorin e vendosjes së masave bllokuese në vend lidhur me pandeminë. Ai pritet të nxisë amerikanët të rrisin vigjilencën e të ofrojë shpresë, ndërsa numri i personave të vaksinuar në të gjithë vendin po rritet.
Nënshkrimi i paketës ligjore nga Biden, i quajtur Plani Amerikan i Shpëtimit, ishte planifikuar fillimisht për të premten, por shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Ron Klain tha se kjo ndryshoi me mbërritjen e ligjit në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
“Ne duam të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruante Klain në një postim Twitter.
Paketa siguron 400 miliardë dollarë të cilat do të jepen në formë pagesash direkte prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, 350 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një zgjerim të pagesës për fëmijët dhe rritje të fondeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s.