Premierliga – klubeve: Sezoni i ri nis në shtator, pavarësisht kur përfundon sezoni aktual
E përditshmja britanike, DailyMail, shkruan se Premierliga do t’u tregojë klubeve në takimin e së enjtes se sezoni i ardhshëm 2020/21 do të nisë në fundjavën e 12 dhe 13 shtatorit, pa marrë parasysh se kur përfundohet sezoni aktual.
Futbolli profesionist ka qenë i pezulluar në Angli që nga mesi i muajit mars për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, që deri më tani ka infektuar më shumë se 250 mijë njerëz në Britani të Madhe, ndërsa i ka lënë rreth 37 mijë të vdekur.
Përkundër krizës, Premierliga synon të kthehet në fushën e lojës rreth gjysmës së muajit mars, edhe pse një numër i lojtarëve kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, përderisa lojtarë si Troy Deeney i Watfordit dhe N’Golo Kante i Chelseat kanë refuzuar të kthehen në stërvitje shkaku i frikës se mund të infektohen.
Përderisa në takimin e së enjtes mes klubeve të Premierligës dhe bordit drejtues pritet të diskutohet për rinisjen e sezonit aktual, në atë takim pritet të thuhet edhe se sezoni i ardhshëm i Premierligës do të nisë në javën e dytë të shtatorit, pavarësisht kur përfundohet sezoni aktual.
Ky vendim i Premierligës për caktimin e një date qysh tani për sezonin e ardhshëm bën që klubet të kenë gjasa të detyrohen ta nisin një sezon të ri pa pushuar aspak gjatë verës, duke shtuar kështu ngarkesën mbi lojtarët.
Për më tepër, nëse ndodh edhe ndonjë suspendim tjetër shkaku i infektimeve me koronavirus, atëherë mund të ndodhë që autoritetet të detyrohen ta anulojnë sezonin aktual, në tentim për ta respektuar vendimin për nisjen e sezonit të ri.