Premierliga do t’i befasojë klubet me inspektorë gjatë stërvitjeve
Inspektimet e befasishme, ndjekja përmes teknologjisë GPS dhe analizimi i videove janë metodat që do të përdoren për t’u siguruar që klubet do t’i respektojnë udhëzimet për siguri gjatë përgatitjeve për rinisjen e sezonit.
Klubet e Premierligës unanimisht morën vendim që të fillojnë seancat stërvitore në grupa të vogla të lojtarëve nga e marta.
Drejtori i futbollit i Premierligës, Richard Garlick, ka dhënë detaje nga plani i ligës për ta mbajtur nën kontroll situatën.
“Gradualisht, ne planifikojmë ta shtojmë numrin e stafit në mënyrë që ta kemi nga një inspektor në secilin kamp stërvitor”, ka thënë Garlick.
“Kjo do të na mundësojë neve të jemi të sigurt se po ndiqet protokolli”.
“Ne po mendojmë ta bëjmë ekipin tonë të pavarur të inspektimit, të cilin do ta rritim në numër stafi gjatë ditëve të ardhshme. Këto inspektime do të bëhen pa i paralajmëruar klubet”.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Premierligës ka bërë të ditur se do ta përkrahë idenë e prezantimit të trofeut për Liverpoolin, nëse skuadra e Jurgen Kloppit shpallet kampione dhe nëse një gjë e tillë vlerësohet e sigurt.
Skuadra e Jurgen Kloppit, që ka epërsi prej 25 pikësh në kreun e tabelës, duhet t’i fitojë vetëm edhe dy ndeshje për ta siguruar matematikisht trofeun e parë si kampion i Anglisë në 30 vjet.