Prej javës së ardhshme punëtorët në protesta e greva (VIDEO)
Nuk po iu mbetët zgjidhje tjetër veç protestave dhe grevave. Janë këta punëtorët e disa kompanive të rojeve fizike dhe punëtorëve që kryejnë punë teknike, të cilët përmes protestave e grevave po shpresojnë t’iu plotësohen kërkesat për rritje të pagave dhe kushtet e punës.
Pagat e ulëta, rreth 130 e 170 euro, mungesa e kontratave kolektive, pushimi vjetor e mjekësor, janë vetëm disa nga telashet me të cilat po përballen këta punëtorë, por edhe shumica e punonjësve në sektorin privat.
Për këtë çështje Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot në zyrat e BSPK do të mbaj takim me kryetarë të disa shoqatave, ku edhe pritet të merret vendim për fillimin e protestave dhe grevave për punëtorët e sektorit privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në një intervistë për FaktePlus, thotë se kërkesa e tyre është arritja e pagës minimale prej 350 euro dhe të respektohet Ligji i Punës.
“Do të mbahet një takim ku pretendohet se do të merret një vendim që nga java e ardhshme që me disa kompani të fillohet me protesta dhe greva. Gjithherë duke kërkuar që pagat e tyre të jenë minimumi 350 euro dhe të kryhen të gjitha obligimet nga pronarët e kompanive ndaj punëtorëve që e sanksionon me Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive. Ata përveç pagave të ulëta, nuk iu është bërë pagesa e stazhit të punës, nuk është bërë pushim vjetor, pushimi mjekësor konform rregullave ligjore”, tha Azemi.
Kryesindikalisti Azemi tregoi se kur do të nisin protestat dhe si do veprojnë në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga pronarët e kompanive.
“Ne në formë sindikale do të bëjmë mjetet tona sindikale. Do të fillohet me të martën, të mërkurën dhe të enjten, kurse të premten do të ulemi dhe të vlerësojmë gjendjen si jemi në përgjithësi dhe nëse nuk ka lëvizje pozitive atëherë do të nisim me greva për të cilat pronarët e kompanive do të obligohen në lëvizin pozitivisht”, tha Azemi.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte mbajtur një takim ku ishte biseduar për kushtet e rënda të punëtorëve të këtij sektori.
Duhet theksuar se në Kosovë, ligji i cili mbron të drejtat e punëtorëve është në fuqi që nga viti 2011, por ky ligj nuk ka gjetur zbatim sa duhet, në veçanti për punëtorët që punësohen në sektorin privat.
Shpeshherë është raportuar për shkeljet e thella që po u bëhen punëtorëve në sektorin privat me paga të vogla, orar të stërzgjatur të punës, trajtim jo adekuat dhe shkelje tjera të shumta./FaktePlus