Praktika e Kuvendit nuk lejon tërheqjen individuale nga mocioni për rrëzimin e Qeverisë
Mocioni i iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë, dhe i deponuar në Kuvend të premten, nuk do të mund të sprapset në procedurë, pa miratimin e të gjithë deputetëve që e kanë firmosur atë.
Kjo për shkak të një praktike që e aplikon Kuvendi prej vitit 2010, kur Gjykata Kushtetuese kishte vendosur në rastin e Fatmir Sejdiut dhe kishte gjetur se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohshëm edhe postin e presidentit të shtetit e edhe atë të kreut të LDK-së. Një burim në Kuvend ka treguar se deri në atë kohë, kur nga iniciativa tërhiqeshin nënshkrime dhe, për pasojë, numri i deputetëve iniciues mbetej më i vogël sesa ai që kërkonte rregullorja, atëherë iniciativa kthehej mbrapsht dhe nuk procedohej tutje. Porse, praktika është ndryshuar që kur është publikuar aktgjykimi.
“Bazuar në këtë, vetëm në një rrethanë iniciativa për mocion mund të ndalet: nëse të gjithë deputetët nënshkrues i tërheqin nënshkrimet”, ka thënë ky burim. “Tash për tash, referuar pikës 3 të nenit 100 të Kushtetutës, thirrja e seancës për shqyrtimin e mocionit është imperativ. Pra, seanca duhet të thirret të hënën, të martën apo më së voni të mërkurën”.
Pika e parë e nenit 100 të Kushtetutës thekson se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës së të gjithë deputetëve të Kuvendit. E pika e tretë e të njëjtit nen saktëson se mocioni vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.
Një ditë më parë, LDK-ja ka konfirmuar se në Kuvendin e Kosovës ka dërguar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, me 46 nënshkrime. Partia e Isa Mustafës i ka 28 deputetë, por siç është raportuar janë katër deputetë të saj, përfshirë kryeparlamentaren Vjosa Osmani, që kanë kundërshtuar rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Krahas deputetëve të LDK-së, 13 nënshkrime janë nga AAK-ja dhe 4 nga Nisma dhe 2 nga AKR-ja.
LDK-ja e ka iniciuar mocionin, duke u bërë e shurdhër ndaj thirrjeve të qytetarëve me protesta, shoqërisë civile, shumë diplomatëve, e madje edhe të një numri deputetësh të vet, për të mos shkuar më tej me nismën për ta rrëzuar qeverinë, në kohën kur Kosova është prekur nga pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 që deri tash ka vrarë mbi 11 mijë njerëz gjithandej botës.
Por, tash kur mocioni është deponuar në Kuvend, praktika e Kuvendit nuk lejon kthimin prapa, përpos nëse të 46 deputetët tërhiqen nga nënshkrimet.
Në rastin e Fatmir Sejdiut, Gjykatës Kushtetuese i ishte kërkuar të tregojë nëse ai po bënte shkelje kushtetuese, duke i mbajtur njëkohshëm edhe postin e kreut të shtetit e edhe atë të kryetarit të LDK-së. Për ta ngritur një çështje të këtillë në gjykatë, Kushtetuta kërkon medoemos 30 ose më shumë deputetë nënshkrues, si parashtrues të pyetjes. Në këtë rast ishin 32 deputetë.
Kërkesa ishte deponuar më 25 qershor 2010.
Por, më 29 qershor 2010 deputetët Dragisha Miriq, Mihailo Shçepanoviq dhe Vladimir Todoroviq kishin informuar gjykatën se kishin tërhequr nënshkrimet. Më 2 korrik 2010 të njëjtën e kishte bërë edhe deputeti tjetër Berat Luzha, e më 5 korrik 2010 edhe deputetja Muzejene Selmani.
Gjatë procedurës, Sejdiu i kishte shkruar Gjykatës se, meqë numri i nënshkruesve kishte rënë nën 30, ajo duhej ta shpallte të papranueshme kërkesën.
“Në rastin konkret, Presidenti argumenton se tërheqja e supozuar e nënshkrimeve të disa deputetëve nga kërkesa, në masën që numri i mbështetësve bie nën numrin 30, do të thotë se grupi nuk mund të konsiderohet si palë e autorizuar siç parashihet në Nenin 113.6 të Kushtetutës”, thuhet në Aktgjykimin e Kushtetueses.
Por, Gjykata ka dhënë një arsye pse kërkesa ishte pranuar, pavarësisht tërheqjes së nënshkrimeve.
“Kjo kërkesë ndryshon nga kërkesa e cila parashtrohet nga një person fizik ose person juridik. Është e nevojshme që të bëhet së paku prej 30 deputetësh. Asnjë deputet ose edhe disa prej tyre, nuk mund të kenë kompetenca që të flasin në emër të të gjithë deputetëve, të cilët kanë iniciuar fillimisht kërkesën. Vetëm deputetët si grup, me 30 deputetë si minimum për të parashtruar një kërkesë, mund të jetë palë e autorizuar që mund të parashtrojë kërkesën. Në mënyrë të ngjashme, vetëm të gjithë ata deputetë, të cilët kanë nënshkruar kërkesën që në fillim, mund të parashtrojnë një kërkesë për të tërhequr kërkesën pasi është parashtruar në Gjykatë”, thuhet në arsyetim. “Të gjithë deputetët, të cilët kanë parashtruar kërkesën fillestare, kanë vepruar së bashku në një bashkësi kolektive, e cila u bë e plotë kur u parashtrua para Gjykatës më 25 qershor 2010. Dëshirat individuale të një, dy ose tre deputetëve, të cilët dëshirojnë të tërheqin nënshkrimet e tyre, nuk kanë asnjë efekt juridik mbi ligjshmërinë e kërkesës së parashtruar”.