Posta shpall konkurs për punëtorë të rinj, por s’ka para t’i paguaj punëtorët aktual
Posta e Kosovës, aktualisht është duke kaluar nëpër një krizë financiare. Madje, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk i kanë marrë ende pagat e muajit të kaluar. Mirëpo, kjo nuk po i pengon drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje që të punësojnë njerëz të rinj. Ditë më parë kjo ndërmarrje shpallur edhe një konkurs.
Punëtorët e Postës së Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor. Alokimi i tyre që është dashur të bëhej në fillim të këtij muaji nuk është bërë ende.
Madje ende nuk dihet se kur punonjësëve të PK do t’u dalin pagat në bankë.
Burime të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus brenda Postës, kanë treguar se deri më tash nuk u kanë dalë pagat. Madje, thonë se nuk kanë as informata se kur do t’i marrin.
“Deri më sot ende nuk na kanë dalë rrogat. Do të thotë jemi me 10 ditë vonesë. Ende s’kemi asnjë informatë se kur do t’i marrim. Vonesa e pagave është duke ndodh muajve të vitit”, ka thënë një burim mbrenda Postës.
FaktePlus ka dërguar pyetje në këtë ndërmarrje për këtë çështje, por deri më tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.
E derisa punëtorët aktual nuk i kanë marrë pagat, drejtues të Postës së Kosovës po planifikojnë që ta shtojnë numrin e të punësuarve.
Ditë më parë Posta e Kosovës ka hapur edhe konkurs për pranim të njerëzve në punë.
FaktePlus ditë më parë ka kërkuar shpjegime për këtë konkurs dhe arsye se përse është shpallur ai. Në Postën e Kosovës vetëm kanë treguar se konkursi është shpallur në bazë të ligjit të punës.
“Punësimi në Postën e Kosovës bëhen vetëm bazë te Nenit 8 të Ligjit të Punës (Ligji nr. 03/L-212) dhe Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies se Punës 01-2456/17 i PK-Sh.A. Sa për informimin tuaj, Posta e Kosovës ka shpallur konkursin publik me datë 31.05.2019 me numër të protokollit 01-1192-1/19, i shpallur edhe në Gaztën Epoka e Re ma datë 01.06.2019:, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.
Kujtojmë se Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës, në vitin 2012 kishte zgjedhur me vendim unanim Kryeshef Ekzekutiv Sejdi Hoxhën. Por, Sejdi Hoxha nga muaji maj i këtij viti vazhdon ta mbajë këtë pozitë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike.
Në nenin, 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku precizohen “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale” shkruan se as drejtor s’mund të jesh në një ndërmarrje publike, nëse ke pozitë partiake.
Madje, aty specifikohet se pozitë të tillë s’mund të mbajë askush nëse edhe në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e pozitave ekzekutive e ndonjë partie politike.
Hoxha, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në Drenas ditë më parë është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit drejtues të kësaj partie./FaktePlus/