Politikani që udhëheq komunën për 20 vjet, synon postin e deputetit (Video)
Politikani që nuk njeh humbje që nga përfundimi i luftës, ia ka mësyrë garës për deputet. Naim Ismaili, që udhëheq komunën e Shtimës për rreth 20 vite, pasi i ka fituar të gjitha zgjedhjet komunale që nga viti 2000, thotë se ka ardhur koha që të lëshojë rrugë në nivelin lokal dhe të marrë përgjegjësi të reja.
Ai thotë se i ka hyrë garës për deputet me qëllimin që t’i përfaqësojë qytetarët e asaj ane në organin me lartë ligjvënës, Kuvendin e Kosovës, me besimin se ka arritur të bëjë mjaftueshëm si kryetar komuna për rreth njëzet vjet.
Ismaili thekson se garës për deputet i ka hyrë me sinqeritet dhe nuk do të jetë vetëm sa për t’ua marrë votën qytetarëve të Shtimës, porse, nëse merr besimin e bashkëqytetarëve të tij, atëherë do ta lë postin e kryetarit të komunës për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
“Jo, asnjëherë, qytetarët e dinë këtë, tash nuk është garë komunale, është garë për deputet. Asnjëherë personaliteti im nuk ia lejon vetës që të futem në diçka me jo seriozitet. Jam shumë serioz në këtë garë për deputet dhe nëse unë marrë mandatin, që besoj do ta marrë mandatin e deputetit, unë do të ushtrojë detyrat e deputetit dhe do t’i përfaqësojë ata, sepse në këtë rast besimi im nuk do të jetë vetëm i qytetarëve të komunës së Shtimës, por gjithë Kosovës”, ka thënë Ismaili për FaktePlus.
Ismaili në këtë intervistë shprehet i bindur se PDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve dhe Kadri Veseli do ta drejtojë qeverinë e ardhshme.
Sipas tij, Veseli është i vetmi që ka dije dhe guxim për të marrë vendime të mëdha, e për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin.
“Besoj se është njeriu më i duhur, pse, sepse ka treguar në secilën kohë se është i guximshëm. Në kohën kur krejt kanë qenë skeptik që ushtria e policia serbe nuk mund të largohet nga Kosova, ai e ka pasur guximin. Një fakt tjetër ai e ka pasur guximin edhe gjatë qeverisjes së përkohshme të Kosovës që t’i ndalë dukuritë më negative, ku me këtë punë e ka ndërtuar partneritetin me ndërkombëtarët, Amerikën dhe BE-në…”, tha Ismaili.
Kandidati për deputet Naim Ismaili, teksa ka vlerësuar kundërkandidatët e Veselit për kryeministër, ka thënë se ata nuk kanë as të kaluar, as program, as guxim për ta drejtuar Qeverinë, pos Kadri Veselit.
“T’i marrim tre kandidatët kryesorë. Cili është begrandi i Vjosa Osmanit në kuptimin e menaxhimit, ajo ende po sillet si deputete, retorika e saj përngjan në Kuvendin e Kosovës, gjithmonë veç akuza, asgjë tjetër…E njëjta retorikë është edhe te Albin Kurti, aspekte të thata filozofike. Për të dhënë teori filozofike mund të jetë, për të menaxhuar se si do të jetë shteti nuk ka ide…për ish kryeministrin Haradinaj mendoj që më e mira ka qenë mos të jetë bartës i listës dhe mos të jetë kandidat për kryeministër, sepse zgjedhjet janë të jashtëzakonshme si produkt i dorëheqjes së tij dhe ai njeri dha dorëheqje në momente kur nga ai kërkohej vendime politike konkrete për vendin”, ka deklaruar Ismaili.
Ndërsa, teksa ka folur për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve, Ismaili ka thënë se të gjitha ato parti që po i vëjnë vijat e kuqe ndaj PDK-së, mendojnë se do t’i shkaktojnë dëme në elektorat, pasi janë të bindura se PDK do të dalë fituese e zgjedhjeve.
Prandaj, sipas tij, pas zgjedhjeve do të dëshmohet se krejt duan që të hyjnë në koalicion me PDK-në.
Ismaili shton se PDK-ja nuk thotë asnjëherë se kanë vija të kuqe për këtë apo atë parti, pasi e dinë që do të jenë fituese të zgjedhjeve dhe pas 6 tetorit do të analizojnë situatën dhe të shohin se cili pranon ta zbatojë programin e tyre./FaktePlus
Intervistën e plotë me kandidatin e PDK-së për deputet, Naim Ismaili, mund ta shikoni më poshtë:
Intervistë me kryetarin e Shtimës dhe kandidatin e PDK-së për deputet, Naim Ismailin
Intervistë me kryetarin e Shtimës dhe kandidatin e PDK-së për deputet, Naim Ismailin
Gepostet von Fakte + am Donnerstag, 26. September 2019