Policia niset për në minierë pas lajmit që vdiqën dy minatorë kosovarë
Dy persona kanë vdekur si pasojë e shembjes së dheut në Minierën e Artanës. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i minierës, Hysen Vranjolli.
I njëjti ka thënë se deri më tani ka informacione se janë konfirmuar dy persona, ndërsa thotë se nuk ka persona tjerë që kanë mbetur të ngujuar.
Pas këtij lajmi, Policia e Kosovës është nisur për në minierë të Novobërdës.
Kështu ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë rast.
“Njësitet e policisë janë duke shkuar në vendin e ngjarjes. Pasi të shohim detajet do të njoftojmë edhe ju me detajet”, tha shkurt Hashani.
E drejtori i minierës, Hysen Vranjolli thotë dyshimet janë se të vdekur janë një inxhinier dhe një xehetar.
“Është shembë dheu, të konfirmuar janë dy të vdekur tjerë nuk ka të ngujuar, sipas informacioneve që kemi jemi duke shkuar në vend të ngjarjes, tjerë të ngujuar nuk ka. Një inxhinier dhe një xehetar”, ka thënë ai.