Policia me aksion kundër kontrabandës nëpër Kosovë, Petkoviq provon ta ngjyrosë etnikisht
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka provuar sërish ta ngjyrosë me motive etnike aksionin e Policisë kundër kontrabandës që po zhvillohet nëpër disa rajone të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri Kurti ka dërguar njësitë speciale në Shtërpcë për të intimiduar serbët dhe bizneset e tyre.
“Pjesëtarë të policisë speciale të Kosovës sot gjatë ditës të shoqëruar nga doganierë kanë shkuar në Shtërpcë për të kërkuar mallra serbe në dyqanet e serbëe. Ata kanë bllokuar tri dyqane dhe qytetarët e kanë pasë të pamundur që të blejnë gjëra dhe janë intimiduar nga demonstrimi i fundit i forcës nga ana e Albin Kurtit”, ka shkruar Petkoviq.
Petkoviqi tutje ka thënë se kryeministri Kurti po kërkon konfrontim me serbët në Shtërpcë.
“Për këtë, Kurti e përdor një lloj konfrontimi me plazmën dhe fiqtë si një pasqyrë për të sulmuar serbët dhe për të demonstruar pushtet, duke menduar se do të arrijë t’i shkundë serbët dhe të provokojë një lëvizje të papërgjegjshme me veprime të shpeshta. Përkundër obsesionit të Kurtit me Shtërpcen, shtërpcasit nuk bien në provokime dhe janë të vendosur të qëndrojnë e të mbijetojnë në shtëpitë e tyre dhe i vetmi humbës i veprimeve të tilla të paarsyeshme do të jetë Kurti. Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta ndihmojë Shtërpcen si ekonomikisht ashtu edhe në çdo mënyrë dhe Kurti nuk mund ta pengojë këtë”, ka thënë Petkoviq.
Sipas burimeve të Gazetës Express, policia ka shënjestruar ndër të tjera edhe komunën e Shtërpcës dhe ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të mallit të kontrabanduar.