Policia lavdërohet me sukseset, tregon gjithçka që ndodhi në vitin 2019
Drejtues të Policisë së Kosovës kanë thënë se viti 2019 nuk ka qenë i lehtë, porse falë angazhimeve të shumta mund të quhet i suksesshëm në parandalimin e veprave të ndryshme penale dhe në sigurinë e qytetarëve. Nga policia kanë treguar gjithçka që ndodhi vitin që lamë pas, ndërsa statistikat e prezantuara tregojnë se ka pasur më pak vepra kriminale, si vrasje vjedhje etj.
Marrë në tërësi 2019-ta për Policinë e Kosovës ka qenë një vit me shumë vështirësi, por që nuk kanë munduar sukseset.
Kështu së paku ka vlerësuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tha se njësitet policore në mënyrën më të mirë është angazhuar dhe suksesshëm ka rritur që të luftojë krimin, të ruaj rendin dhe sigurinë publike.
“Viti që sapo mbaruam ka qenë një vit i suksesshëm në rastin e preventivës policore. Kemi bërë një punë të madhe në parandalimin e shumë veprave penale, kemi ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët, dhe shumë sfida të cilat janë menaxhuar mjaft mirë dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera kemi arrit të zvogëlojmë trendin e krimit. Kemi arrit të merremi me shumë hetime mjaft komplekse, të veprave penale qoftë ne fushën e krimit të organizuar, qoftë në fushën e terrorizmit apo të krimeve të rënda… Kemi bërë shumë aktivitete që të mbrojmë kufirin shtetërorë dhe të ofrojmë shërbime për qytetarët që vijnë nga jashtë”, tha Qalaj.
(Rashit Qalaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës)
Kurse zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Operacione, Sabedin Mehemeti tha se gjatë vitit të kaluar janë marrë edhe më shumë lëndë të trajtimit të pjesëtarëve të policisë se Kosovës.
Ai tha se mes shumë rasteve të trajtuara 27 pjesëtarë të policisë janë larguar nga puna si pasojë e shkeljeve të rënda që kanë bërë.
“Divizioni standarde profesionale gjatë vitit që lamë pas i ka administruar 1573 lëndë nga të cilat 846 lëndë janë iniciuar në vitin raportues, ndërsa 727 nga viti paraprak. Ky divizion ka arritur t’i përfundoj 855 lëndë disiplinore dhe t’i dërgoj në komisionin disiplinor, ku 27 raste ky komision si instancë e parë administrative është detyruar të marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënieve të punës, në dy raste kemi pasur degradim, 157 ndalesë në pagë, 71 raste vërejtje me shkrim, 30 raste lirim nga akuza, 24 raste janë pushuar hetimet dhe 852 raste kanë qenë si të pa baza nuk ka pasur mjaftueshëm fakte ku anëtarët e policisë kanë bërë shkelje”, ka thënë ai.
(Sabedin Mehemeti Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Operacione)
Më tej ka folur edhe drejtori i departamenteve për operacione, Afrim Ahmeti, i cili ka treguar statistikat e rasteve me vepra penale dhe të kundërvajtjeve.
Ai tha se janë më shumë se 13 mijë persona që janë arrestuar gjatë vitit të kaluar për vepra të ndryshme.
“Gjatë vitit 2019 divizioni për siguri publike ka evidentuar 43 mijë e 668 raste, prej tyre 30 mijë e 259 vepra penale, dhe 13 mijë e 409 kundërvajtje dhe raste të tjera. Krahasuar me vitin 2018 ka pasur ulje të rasteve për 8.90%, të veprave penale për 15,73 %, ndërsa kundërvajtjet kanë shënuar ngritje për 11.45 %. Disa nga veprat më të rënda penale rastet e vrasjeve gjatë vitit 2018 kemi pasur 34 raste ndërsa gjatë vitit 2019, 23 raste apo ulje për 32.35%…, Vjedhje të rënda kanë qenë 4774 në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019, 3803 raste apo një ulje prej 20,33 %”, ka thënë ai.
(Afrim Ahmeti, Drejtori i Departamenteve për Operacione)
Drejtori i departamentit të Hetimeve në Polici, Riza Shillova tha se në përgjithësi trendi i krimit ka rënë, por se ka rritje të aktiviteteve që kanë të bëjnë me krimin kibernetik dhe krimin ekonomik.
“Kemi rritje të aktiviteteve ose veprave penale që ndërlidhen me krimin kibernetik, krimin ekonomik, korrupsionin dhe fajde të cilat janë në rritje, ndërsa veprat të tjera penale kanë pësuar rënie. Nga analizat që i kemi bërë në total nga numri i rasteve që kemi pasur gjatë vitit 2019. Nga 2564 raste gjithsej 56% e këtyre rasteve i përkasin rasteve me narkotik. Pra trafikimi me narkotik mbetet një nga shqetësimet ose rreziqet kryesore sa i përket aspekteve të kriminalitetit të rëndë”, tha ai.
(Riza Shillova, Drejtori i Departamentit të Hetimeve)
Në kuadër të kësaj konference u bën të ditura edhe të dhëna të tjera që përfshihen në departamentet e kufirit, shërbimeve mbështetëse, ku në përgjithësi u tha se Policia e Kosovës ka bërë një punë të suksesshme vitin 2019./FaktePlus