Policia jashtëligjshëm ngre mur në lokalitetin e “Hyjneshës në fron”
Policisë së Kosovës i bie të ndërhyjë në raste kur institucionet konstatojnë se qytetarët janë duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin që rregullon fushën e trashëgimisë kulturore. Madje ky institucion ka edhe njësit të veçantë për trashëgiminë kulturore.
Por është vetë Policia e Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Këtë e kanë bërë duke ndërhyrë pa kurrfarë leje në njërin prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme të vendit sa i përket parahistorisë.
Bëhet fjalë për zonën e mbrojtur ku është gjetur edhe artefakti më me nam i Kosovës, “Hyjnesha në fron”.
Një kompani e kontraktuar nga Policia e Kosovës ka hapur një kanal rreth 200 metra të gjatë e dy të gjerë në lokalitetin arkeologjik “Tjerrtorja”.
Në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, pikërisht në lokalitetin arkeologjik të mbrojtur me ligj gjenden një magazinë dhe servisi i veturave të Policisë së Kosovës. Tek pas hapjes së kanalit, që është mbushur me beton, është lajmëruar Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Zyrtarët e këtij institucioni kanë vizituar lokalitetin dhe kanë marrë disa pjesë qeramike që kishin dalë në sipërfaqe gjatë punës.
Por sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procesi i ndërtimit të murit nuk është dashur të bëhej pa lejen e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Ky ligj përcakton se hapësira me potencial arkeologjik ndahet në dy kategori: “Rezervatet arkeologjike” e “Zonat dhe hapësirat e mbrojtura”.
Sa u përket rezervateve arkeologjike, ligji përcakton se nuk lejohet asnjë veprimtari që shkakton dëmtim të ndonjë rezervati arkeologjik pa lejen e shkruar nga institucioni kompetent. “Tjerrtorja”, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bën pjesë në kategorinë e “Zonave dhe hapësirave të mbrojtura”, shkruan KOHA. “Çdo aplikim për leje që të ndërtohen ndërtesa ose bëhet krijimtari tjetër brenda Zonës s mbrojtur të një vendi të trashëgimisë arkeologjike paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veton mbi dhënien e një leje të tillë.
Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 20 ditësh, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant i planifikimit dhe ndërtimit”, përcaktohet në nenin 17 të Ligjit. Madje kur bëhet fjalë për lokalitete arkeologjike kërkohet leje e veçantë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, si institucion kompetent edhe kur hapësira punohet për bujqësi.