Policia japin detaje nga plagosja e avokatit, Halilaj thotë se policia është e kapur nga njerëzit e Lushtakut
Policia e Kosovës thotë se dyshohet se janë dy persona që kanë sulmuar avokatin Gazmend Halilajn, i cili mbeti i lënduar nga përleshja me ata.
Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi, e ka konfirmuar për Fakteplus duke thënë se në vendin e sulmit janë gjetur dy gëzhoja plumbi.
“Në ora 15:50, nga pala ankuese policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të pranuara nga ankuesi, dyshohet se dy persona ta kenë sulmuar atë, ku si pasojë e përleshjes me ta, dyshohet se edhe vetë ankuesi ka pësuar lëndime. Policia ende është duke e trajtuar rastin, përderisa në vendngjarje kanë gjetur dy gëzhoja të armës”.
Ndërsa Halilaj për FaktePlus ka thënë se është rrugës për në QKUK ku do të marrë edhe trajtimin aty.
Më tej ai ka potencuar se nuk beson në Policinë e Kosovës pasi është e kapur nga njerëzit e Sami Lushtakut.
“Jo jo nuk e kam denoncuar rastin sepse të gjithë njerëzit e tij punojnë aty, prandaj nuk e kam bërë. Menjëherë ma kishin bë si dëshmi të rrejshme, dhe nuk do e zbulonin kurrë. Për momentin jam i lënduar dhe jam duke shkuar në QKUK”.
Avokati Halilaj: Jam i bindur se u plagosa nga njerëzit e Sami Lushtakut