Policia i ndalon 13 persona që nuk respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës ka ndaluar 13 persona, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Prizrenit janë pesë persona të ndaluar, kurse në pikat kufitare 3 persona. Mandej nga dy persona të ndaluar janw nw Gjilan dhe Mitrovicwn e Jugut dhe vetëm një në Pejë, raporton FaktePlus.
Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Kurse nga 18 maji në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Në këtë fazë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.
Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.
Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 989 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 769, ndërsa janë 29 persona që kanë vdekur si pasojë e Covid-19, shkruan FaktePlus.