Policia e Kosovës 20 vjet në detyrë: Nisi me 176 pjesëtarë, sot ka gati 9 mijë…
Aktivitete të shumta janë mbajtur për një javë me rastin e mbushjes 20 vjet të njërit nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend, Policisë së Kosovës. E ceremonia kryesore si përmbyllje e të gjitha aktiviteteve mbahet sot në Prishtinë, për këtë institucion që nisi punën me 176 pjesëtarë, e sot numëron gati 9 mijë.
Ishte 6 shtatori i vitit 1999, kur Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.
Nga 176 tani gati 9 mijë
Mirëpo, tash 29 vjet pas, Policia e Kosovës i numëron gati 9 mijë pjesëtarë. Saktësisht policia ka 8 mijë e 900 e 45 pjesëtarë.
Nga ky numër, në organizatën numër një të sigurisë, është e përfshirë edhe gjinia femërore. Ndonëse është numër i vogël, në Policinë e Kosovës, janë gjithsej 1 mijë e 300 e 39 pjesëtare femra.
Se Policia e Kosovës është e institucion multietnik, e dëshmon edhe përqindja e përfshirjes së tyre në këtë organizatë. Shifrat tregojnë së në Policinë e Kosovës janë mbi 15 për qind të komuniteteve joshqiptare.
Kjo organizatë që po shënon 20 vjetorin e themelimit të saj dhe për nderë të kësaj dite janë organizuar disa aktivitete në shumë vende të Kosovës.
Detyrat e policëve, 20 humbën jetën
Detyra primare e një polici është të mbrojë jetën, pronën dhe të ofrojë siguri për të gjithë personat, të parandalojë rrezikun ndaj qytetarëve dhe ta mbajë rendin dhe sigurinë publike, dhe në raste të tjera emergjente, të kryejë edhe detyra të tjera të parapara me ligjin në fuqi.
E duke kryer detyrat përgjatë këtyre viteve shumë pjesëtarë të policisë edhe u vranë.
Që nga themelimi i saj, janë qenë 20 pjesëtarë të policisë të cilët kanë rënë në detyrë.
Njëra nga vrasjet që tronditi opinionin dhe vetë Policinë e Kosovës ishte ajo e pjesëtarit të Njësisë Speciale, Triumf Rizës nga fshati Stagovë e Kaçanikut.
Ai më 30 gusht të vitit 2007 u qëllua prapa shpine nga një person, i cili më vonë u dënua me 40 vite burg me vendim të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Fat të njëjtë pati edhe polici Enver Zymberi, i cili gjatë një aksioni policor të zhvilluar në veri të vendit, ra heroikisht.
E vdekje tjera të policëve ka pasur edhe në rastet kur ata kanë intervenuar të parandalojnë veprime të kundërligjshme, si një rast në Istog, por edhe në komuna tjera.
Që prej shtatorit të vitit 1999, kur kjo polici filloi me punën e saj me emërtimin “Shërbimi Policor i Kosovës”, janë arritur ndryshime të gjithanshme në të mirë të përmbushjes së misionit madhor të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
Policia e Kosovës ka arritur me sukses të plotë të bëhet një forcë moderne policore, e cila kryen punën e saj duke bashkërenduar më së miri zbatimin e ligjit, udhëheqjen nga parimet e demokracisë dhe aftësitë profesionale./FaktePlus