Policia e konfirmon, një grua rreth 35-vjeç dyshohet se u vra në oborrin e QKUK-së

Policia e Kosovës e konfirmon se një grua rreth 35-vjeç dyshohet se është vrarë në oborrin e QKUK-së.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha ajo.
Viktima ishte në javën e 41-të të shtatëzënisë, duke pritur për të lindur. Vrasja dyshohet se është kryer me armë zjarri.
Rasti i së mërkurës ka ndodhur vetëm pesë ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër në Prishtinë.
Një burrë 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij 63-vjeçare në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, më 25 nëntor.
Sipas Prokurorisë, vrasja e gruas e cila ishte mësuese në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë është kryer me sëpatë.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.