Policia arreston Korab Gashin, i dyshuar për grabitjen në Suharekë
Policia e Kosovës e ka arrestuar Korab Gashin mbrëmjen e 1 korrikut, si i dyshuar për përfshirje në grabitjen e argjendarisë në Suharekë, më 22 nëntor të vitit të kaluar.
Korab Gashi ka qenë në arrati që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit e tjerë që gjenden prapa grilave janë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, kurse Trim Baraku për “Armëmbajtje pa leje”.
Ndryshe, Policia e Kosovës me 13 dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë që ndodhi më 22 nëntor i cili ende është në arrati.
Personi i cili po kërkohet nga policia është Korab Zeqir Gashi, i lindur më 01.03.1982 në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se ndaj të dyshuarit në fjalë është lëshuar edhe urdhër arrest nga organet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e Grabitjes së Armatosur dhe Plagosjes së Zyrtarit Policor, ndodhur me datë 22.11.2023 në argjendarin në Suharekë. Lidhur më këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë. Personi i cili po kërkohet është Korab Zeqir Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë me nr personal 1014599319. Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e policisë.