Policia apelon të ndalet dhuna në familje, vetëm në muajin mars u raportuan 169 raste
Policia e Kosovës ka bërë një apel lidhur me rastet e dhunës në familje, pasi që në tre muajt e fundit numri i tyre është rritur.
Sipas njoftimit të policisë nga muaji janar deri tash janë raportuar gjithsej 481 raste të dhunës në familje.
Numri më i madh i rasteve është shënuar në muajin Mars, ku janë raportuar gjithsej 169 raste të dhunës në familje.
“Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe senzibilimit të shoqërisë”, thuhet në apelin e PK-së.
Policia thotë se trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e tyre, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite.
“Gjatë vitit 2017 kanë qenë të raportuara 1.269 raste, në vitin 2018 kanë qenë 1.541 dhe ne vitin 2019 kanë qenë 1.915 raste të raportuara në nivel vendi”, thuhet në njoftim.
Në tre mujorin e parë të këtij viti, janë evidentuar rastet si në vijim:
Janar 161 raste
Shkurt 151 raste
Mars 169 raste të dhunës në familje
“Andaj referuar rasteve të ngritura ndër vite si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, ku kërkohet qëndrimi i qytetareve ne shtëpi, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt”, thuhet në apel.
Policia e Kosovës thotë se edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t`i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor.