Polici dhe profesori që dyshohen se abuzuan me nxënësen në Drenas mbetën në paraburgim
Polici Vesel Veseli dhe profesori Shkelzen Xhekaj do të vazhdojnë të mbesin në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e avokatëve mbrojtës kundër masës së paraburgimit.
“Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, për të pandehurit V.V dhe Sh.Xh. Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.02.2019 dhe 09.02.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit njofton se V. V po dyshohet për keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin dhe profesionin, derisa, profesori për veprën penale “Nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë”.
“I pandehuri V.V.po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” nga neni 239 paragrafi 1. i Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK) dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë” nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të këtij kodi. Ndërsa i pandehuri Sh.Xh. po dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe veprën penale “Nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë” nga neni 240 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Me tutje, në njoftim theksohet se Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tyre, konform dispozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës. /FaktePlus