Policët qe dy vjet pa jelekë antiplumb
Ka rreth 5 vjet prej kur zyrtarët policorë nuk janë pajisur me jelekë antiplumb. Megjithëqë kanë pasur nevoja e edhe kërkesa, zyrtarët policorë i janë ekspozuar rrezikut për shkak se kompania “All Zone” prej vitit 2017, kur është bërë kërkesa për t’u pajisur me jelekë të tillë, nuk e ka dërguar në këtë institucion produktin e kërkuar.
Nga burimet e saj gazeta ka konfirmuar që janë disa kërkesa të Policisë së Kosovës që kurrë nuk janë realizuar.
Ky institucion zyrtarisht ka kthyer përgjigje. Ka konfirmuar se kompania që e kishte nënshkruar tenderin rreth 1 milion euro e gjysmë asnjëherë nuk ka arritur ta kryejë furnizimin me këtë produkt, shkruan Koha Ditore.
“Furnizimi i fundit me jelekë antiplumb ka qenë në vitin 2014, ndërsa nga kontrata e fundit, e cila është shkëputur, nuk jemi furnizuar asnjëherë. Andaj, bazuar në atë se nuk ka pasur liferim/dorëzim të pajisjeve, nuk ka pasur as penallti. Jelekët antiplumb shërbejnë për mbrojtjen e jetës së zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, andaj me mungesën e tyre zyrtarët policorë i ekspozohen rrezikut”, thuhet në përgjigjën e Policisë së Kosovës. /FaktePlus