Policët mbesin pa autobus
Prej vitesh punonjësit policorë për të shkuar deri tek stacionet policore ku janë të angazhuar me punë kanë udhëtuar me autobusët e Policisë së Kosovës, por ka më shumë se tre muaj që autobusët e disa linjave janë prishur dhe udhëtimin policët po e bëjnë privatisht e kush si të mundet.
Ka disa muaj që policët po detyrohen të gjejnë mënyra alternative të udhëtimit për në vendet e tyre të punës.
Kjo për shkak se autobusët e Policisë së Kosovës në disa linja, kanë pësuar defekte dhe më nuk janë rregulluar për të bartur punonjësit.
Këtë e kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus punëtorë të policisë, të cilët theksojnë se kjo situatë u ka sjell mjaft shumë probleme.
“Ka kohë që është prishur autobusi, e ne po duhet të presim kështu nëpër stacione. Derisa të rregullohet autobusi jemi të detyruar të gjejmë secili vet zgjidhje, pra të udhëtojmë kush ka me vetura të veta ose me ndonjë mjet tjetër, taksi etj”, tha një punonjës policie.
Sipas tij, në telashe janë sidomos policët që janë të angazhuar në ndërrimin e dytë dhe të tretë të punës, pasi në orët e vona dhe të hershme, nuk po ka autobus privatë, por as vetura që qarkullojnë.
“Kur qëllon të jemi në ndërrim të dyte dhe tretë kemi probleme, sepse atëherë qarkullimi i automjeteve është shumë i vogël dhe duhet pritur gjatë ose paguar më çmim të lartë taksitë”, është shprehur ai.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus e ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelanin, i cili tha se defektet në disa linja të transportit janë të përkohshme dhe ato do të kthehen sërish në funksion.
“Transporti për policët është i rregulluar, mirëpo, kur ka prishje atëherë duhet të pritet derisa të rregullohet. Prishjet janë normale. Linja ka nëpër të gjitha rajonet. Por, ka raste kur mund të paraqitet ndonjë defekt në njërën prej linjave të caktuara dhe merr kohë deri në sanimin e tij”, ka thënë Kelani.
Sipas tij, edhe tani janë duke u shikuar mundësitë që nëpër linjat ku ka probleme të bëhet ndonjë zëvendësim me autobus me linja tjera në mënyrë që policët të kenë të siguruar transportin./FaktePlus