Poeti turk Abdurrahim Karakoç erdhi edhe para lexuesit shqiptar
Në Ankara, dje, është botuar libri “Përmbledhje poezish”, në të cilin janë të përmbledhura poezitë më të mira të autorit të njohur në letërsinë turke, Abdurrahim Karakoç.
Për botimin e librit ka njoftuar përkthyesja e librit, Fatijona Bajraj, e cila në rrjetin social në Facebook, ka thënë: “Sot, në Ankara të Turqisë doli nga shtypi libri “Mihriban”, përmbledhje poezish të autorit të njohur turk, Abdurrahim Karakoç, libër të cilin e kam përkthyer nga gjuha origjinale, ajo turke. Boton shtëpia botuese “Kadim Kitap”.”
Ky është libri i pestë i përkthyer nga Fatijona Bajraj, e cila në planet e saja ka përkthimin e autorëve të mëdhenj të letërsisë turke dhe asaj orientale, të cilët mungojnë në gjuhën shqipe.
Në lidhje me librin dhe poezitë e Karakoçit, recensenti i librit, Albin Mehmeti, ndër të tjera thotë:
“Dashuria dhe malli është binomi i pashmangshëm në pothuajse të gjitha poezitë. Malli për të kaluarën bën që poeti të mos arrijë të jetojë në të tashmen, por të jetojë me njërën këmbë në të djeshmen e lumtur dhe me njërën këmbë në të nesërmen utopike, në të cilën ka shpresë se do ta gjejë ilaçin për mallin. I vetmi ilaç, i cili do ta shërojë nga dhimbja e të djeshmes është harresa që mund të vijë nesër. Kjo, sipas poetit është e pashmangshme, pasi që preokupimet e jetës janë më të fuqishme sesa malli. Për Karakoçin, dashuria para se të jetë ndjenjë është dhimbje, është hanxhari, i cili godet mu në zemër. Dashuria e Karakoçit është pritje për të dashurën, pritje e cila e vret. Për mallin, dhimbjen e plagët e dashurisë qajnë konkretja e abstraktja, shiu e era, tërmeti e malet. Karakoçi përmes figuracionit letrar e bën që për dashurinë të flasë memeci e të heshtë oratori.”
Libri u botua nga shtëpia botuese “Kadim Kitap” në Ankara, kurse u përkthye nga Fatijona Bajraj.
Redaktor i librit është Albin Mehmeti, kurse për lektorimin u përkujdes Kosovare Ramadani.