Podujeva në zgjedhje, kush do të ulet në karrigen e Agim Veliut
Pas më shumë se një dekadë Komuna e Podujevës do të ketë një kryetar të ri. Agim Veliu që ka drejtuar ketë komunë për rreth tri mandate, është bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e re. Në vend të tij tash pritet të ulet një kryetar tjetër, i cili do të zgjidhej me votat e qytetarëve të kësaj komune. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë duhet të organizohen brenda 45 ditëve.
Komuna e Podujevës tashmë edhe zyrtarisht shkon në zgjedhje të parakohshme, për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Kjo, për shkak se kryetari i deritanishëm i cili ka udhëhequr për rreth tre mandate me Komunën e Podujevës, Agim Veliu edhe zyrtarisht ka marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e re e cila është votuar dje, shkruan FaktePlus.
Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, postin e Veliut do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari i cili po ashtu është nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
E, kur ndodhë një gjë e tillë atëherë zgjedhjet duhet të organizohen për 45 ditë.
Që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja thuhet edhe në nenin 56 të ligjit për vetëqeverisje lokale.
Aty shpjegohet edhe mënyra se si zgjidhet kryetari i një komune.
FaktePlus ka pyetur disa nga partitë se a i kanë përcaktuar kandidatët e tyre për kryetar të kësaj komune partitë politike.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila edhe ka udhëhequr me vite të tëra me këtë komunë, si kandidat që më së shumti po përflitet nga mediet që ta zë vendin e Agim Veliut, është Ekrem Hyseni, njëherit deputetet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK.
Mirëpo, vet Hyseni në një deklaratë për FaktePlus ka mohuar këto zëra, duke thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare.
“Këto janë vetëm mendime të opinionit dhe nuk kemi asgjë prej partisë , dhe sot proceset po marrin kahje tjetër. Sigurisht se do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe pastaj e shohim. Nuk ka diçka konkrete, nuk ka zyrtare, asgjë as prej partisë e as prej ish-kryetarit Agim Veliu, tash ministër i Brendshëm as prej strukturave të tjera, pra për momentin nuk ka asgjë konkrete, me siguri partia do ta merr këto ditë një vendim”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa, i pyetur se a do ta pranojë këtë pozitë nëse veç vendoset nga Kryesia e LDK-së, Hyseni ka thënë se kjo do të bëhet në koordinim të plotë.
“Asgjë nuk kemi vendos, ne normalisht që këto i diskutojmë dhe vendimet kanë me u marr me siguri në koordinim të plotë”, ka thënë ai për FaktePlus.
Por, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se për këtë vendos struktura e partisë, duke shtuar se gjithçka do të bëhet në konsultim me Degën e AAK-së, nga Podujeva.
“Tash mblidhen strukturat e partisë në konsultim edhe me Degën e Podujevës dhe do të vendoset. Ende nuk e kemi ndonjë qëndrim sepse ju e dini se zotëri Haradinaj nuk gjendet në Kosovë dhe deri sa të kthehet e pastaj kjo do të vendoset me strukturat e partisë”, ka thënë për FaktePlus, Time Kadrijaj deputete e AAK-së.
Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se është herët të flitet për këtë.
“Pyetje e ngutshme, kështu që ndonjë ditë tjetër flasim për këtë”, ka thënë zëdhënësi I Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Për këtë çështje nuk kanë pranuar të thonë deri më tani asnjë fjalë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Për zgjedhjet në Komunën e Podujevës janë deklaruar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje, ndërsa ka treguar se kur KQZ-ja fillon përgatitjen e një procesi zgjedhor.
“E kemi shpjeguar edhe në rastet e kaluara të ngjashme, pra në rrethana të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ-ja fillon me përgatitjet instensive pasi të shpallet data e zgjedhjeve”, tha Elezi.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në komunën e Podujevës, LDK-ja kishte fituar me një diferencë të vogël nga Lëvizja Vetëvendosje.
LDK në këtë komunë kishte fituar 38.60 për qind apo 12 mijë e 877 vota, duke e lënë pas Lëvizjen Vetëvendosje me vetëm 2000 mijë vota më pak.
Ish, kryetari Veliu ka qenë kryetar i Komunës së Podujevës në vitet 2010-3013, 2014-2017 dhe 2017-2020.
Gjatë vitit 2000-2002 dhe 2002-2004 Agim Veliu ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal të Podujevës.
Kurse për tri vite nga viti 2004-2007, Veliu ka udhëhequr me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Aktualisht Veliu mban edhe pozitën e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës./FaktePlus