PO dhe JO mbylljes së AKP-së, flasin ekspertët
Debati për mbylljen ose jo të Agjencisë Kosovar të Privatizimit (AKP) është rikthyer sërish. Kjo temë është riaktualizuar pasi gjatë fushatës zgjedhore lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që tani pritet të nominohet për kryeministër, pati deklaruar se një nga vendimet e tij më të rëndësishme që do ta bënte si shef i Qeverisë është edhe mbyllja AKP-së.
Nga ajo që është thënë më parë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit i nevojiten diku edhe katër vite kohë, në mënyrë që të përfundojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre në Kosovë.
Por, këtë proces është pikëpyetje nëse do të mund ta kryej AKP. Pasi tani është hapur sërish debati nëse duhet të mbyllet apo jo ky institucionet. Përveç politikës, vlerësime të ndryshme për këtë çështje kanë edhe ekspertë të ekonomisë.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani i ka dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus arsyet pse AKP-ja duhet të vazhdojë punën e saj edhe më tutje.
“Unë mendoj se është dashur të ndryshohet modeli dhe të shkohet me atë që ndërmarrjet shoqërore të kthehen në shoqëri aksionare. Mirëpo, kjo vazhdoi me të vjetrën. Por, si do që të jetë, me të gjitha të metat që i ka AKP-ja nuk mund të shuhet derisa nuk kryhet procesi i privatizimit. Prandaj, ai duhet të vazhdohet deri në fund sa të kryhet procesi. Përndryshe nuk mund të kalohet faza e tranzicionit”, shpjegoi Limani.
Ai tha se nuk mund të merret për bazë mbyllja e AKP-së edhe pse problemet më të mëdha ose sfidën kryesore në ekonominë e Kosovës, e kemi nga koha e AKM-së, e cila me formën e privatizimit shkatërroi ekonominë dhe la shumë të papunë.
Kurse eksperti i ekonomisë, Safet Gëxhaliu, për FaktePlus ka deklaruar se AKP është shtylla kryesore e shkatërrimit të ekonomisë kosovare dhe se aty janë të punësuar militantë të ngjyrave të ndryshme politike të cilët sipas tij më së paku i mbrojnë interesat e shtetit.
“Bastioni i shkatërrimit të ekonomisë kosovare është Agjencia Kosovare e Privatizimit. E nëse vazhdohet në këtë drejtim vërtetë do të jetë një humbje për gjeneratat e reja, sepse në atë agjencion sot janë të punësuar militantë të ngjyrave të ndryshme politike, militantë që shumë më tepër i mbrojnë interesat e grupeve të caktuara të interesave dhe individëve sesa të vetë shtetit të Kosovës”, u shpreh Gërxhaliu.
Madje ai ka theksuar se me mbylljen e AKP-së, do të jetë mundësi “për frymëmarrjen më të re”.
“Në këtë drejtim, sa më shpejt të mbyllet do të jetë më tepër mundësi për frymëmarrje më të re. Në veçanti të sektorit privat dhe përmes sektorit privat zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të Kosovës”, theksoi Gërxhaliu.
Kurse nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk kanë dashur të komentojnë deklarimet politike që ka dhënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje se posa ta merr pushtetin do të mbyll këtë institucion.
“AKP nuk komenton deklaratat politike. Siç e dini Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mandatin e privatizimit të pronës shoqërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe ky mandat buron nga Ligji i AKP-së Nr. 04/L-034 i miratuar po nga ky Kuvend. Pra, AKP vetëm e zbaton Ligjin e AKP-së dhe ligjet e tjera në fuqi që janë miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie dhënë për FaktePlus.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga viti 2003 e deri më tash në buxhetin e Kosovës ka transferuar 326 milionë euro, kurse një pjesë të madhe po e mban në formën e depozitave brenda Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
“Deri më tani në buxhetin e Republikës së Kosovës janë transferuar, 326,719,004 euro. Ndërsa gjendja e llogarisë aktuale është 265,739,779.00 euro. Sipas ligjit, mjetet tepricë pasi të shlyhen obligimet ndaj punëtorëve dhe ndaj kreditorëve transferohen në buxhetin e Kosovës si të dedikuara për investime kapitale për zhvillim ekonomik”, tregojnë nga AKP për FaktePlus.