Plani qeverisës i Kurtit, shërbimi obligativ ushtarak nuk përmendet fare tek pjesa e FSK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ekspozenë e tij në Kuvendin e Kosovës ditën kur është votuar qeveria e tij pati deklaruar se shërbimi ushtarak do të jetë i obligueshëm në Kosovë nën qeverisjen e tij.
“Me qeverisjen tonë, shërbimi ushtarak bëhet i obligueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të NATO-s do të fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë me kohëzgjatje 3 mujore dhe do t’i ndihmojë FSK-së në kryerjen e detyrave shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte deklaruar Kurti.
Mirëpo, sot në mbledhjen e qeverisë Kurti është votuar plan-programi qeverisës prej 45 faqe i qeverisë Kurti.
Nëse shohim këtë plan-programin e qeverisë në faqen 39 ku flitet për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Kosovës, aty nuk përmendet fare shërbimi obligativ ushtarak.
Në paragrafin ku flitet për Forcën e Sigurisë së Kosovës thuhet se qeveria do të angazhohet që FSK të marrë pjesë në ushtrimet e NATO-s, por askund nuk përmendet shërbimi obligativ ushtarak.
“Qeveria do të angazhohet që forcat e sigurisë të jenë pjesëmarrëse në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s. Do të vazhdojë mbështetjen për profesionalizimin dhe sigurimin e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, duke u bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Po ashtu, për blerjen e pajisjeve ushtarake do të ketë lirim nga dogana. Qeveria do të ndërmarrë këto veprime në mënyrë që të jetë kontribuese e arkitekturës së sigurisë globale dhe pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse”, thuhet në këtë paragraf./FaktePlus