Plaku 78 vjeçar nuk lodhet, ende kujdestar i shtatores së Nënë Terezës
Ndryshe nga shtatoret e figurave historike shqiptare e të huaja që janë të vendosura në Prishtinë e që janë të mbuluara nga pluhuri, ajo e shenjtores shqiptare asnjëherë nuk e humbë shkëlqimin e saj.
E kjo pasi që shtatorja e bamirëses Nëna Terezë ka kujdestarin e saj prej shumë vitesh.
Faik Sefa është personi i cili kujdeset vullnetarisht për shtatoren e humanistes dhe të një fëmije që e mban pranë vetes përgjatë sheshit që mban emrin e saj në zemër të kryeqytetit.
Plaku 78- vjeçar, thotë se për punën që e bënë nuk është i obliguar e nuk paguhet, por e kryer me qejf dhe vullnetarisht.
“Çdo ditë e pastroj, rregullisht vij rreth orës 8-të të mëngjesit deri rreth orës 14:00, pastroj shtatoren dhe të gjithë lulet përreth i rregulloj. E pastroj, por askush nuk më detyron, por vet me vullnetin tim. E bëjë me qejf se na u ka gjet na ka ndihmu Nëna Terezë, edhe sot as nuk më kanë paguar as nuk dua të më paguajnë, më kanë lutur nuk kam dashur të paguhem”, shprehet plaku.
Edhe pse tani i shtyrë në moshë dhe me shëndet jo të mirë, ai jep arsyetimet se përse e bënë një gjë të tillë.
“Mua në vitin 1998 mi ka gjet ilaçet, ku nuk kam mundur të i gjejë askund. Ajo mi ka dhënë ilaçet pa pagesë të gjitha ilaçet rregullisht. Dhe unë dua ta pastroj këtë që t’ia kthej atë të mirë që më ka bërë”.
Madje Sefa tregon se si është shpërblyer me disa mirënjohje për punën e tij, derisa rrëfen edhe për kontributin e tij që ka bërë gjatë viteve të luftës në Kosovë.
“Më kanë shpërblyer me mirënjohje nga Amerika, prej atje ma kanë dërguar një mirënjohje dhe i falënderoj shumë”, ka thënë ai.
Nëna Terezë aktivitetin humanitar e ushtroi në shumë vende të botës, por më shumë ishte e përqendruar nëpër lagjet e varfra të Kalkutës në Indi. Për humanizmin e saj u nderua edhe me Çmimin Nobel për paqe./FaktePlus