Piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës rrëfehet për FaktePlus
“Betohem solemnisht se do të jem i përkushtuar dhe do t’i qëndroj plotësisht besnik Republikës së Kosovës, se do t’iu bindem urdhrave të Presidentit të Republikës së Kosovës, dhe oficierëve tjerë mbi mua, në pajtim me ligjin, dhe se do t’i kryej detyrat e mia me zell, nder dhe dinjitiet. Betohem solemnisht se do të zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do t’i shërbej popullit dhe Atdheut tim, dhe për mbrojtjen e tyre nuk do të kursej as jetën time. Betohem!
Është kjo deklarata që bën çdo ushtar i Kosovës, por, sa jemi ne si shoqëri të vetdijshëm për rëndësinë e këtyre fjalëve dhe të personave që këto deklarata i kthejnë në vepra? Kush prej shoqërisë sonë është kaq i përpiktë në zotimet e tyre? Me çka specifikohen këta njerëz? Çka i shtynë këta të bëjnë një betim të tillë, dhe sa është e mundimshme kjo? Sa ndihen krenar për këtë e për peshën e uniformës që ata mbajnë? Po, përveç këtyre, kush janë ata persona të cilët e përjetuan historinë e transformimit të Forcës së Siguririsë në Ushtri të Kosovës, duke pasur pozita më specifike në kuadër të ushtrisë.
Për këtë e shumë pyetje tjera, FaktePlus ka realizuar një intervistë me pilotin e parë të Ushtrisë së Kosovës, nëntogerin Afrim Zabelin, i cili pati fatin të diplomohet një ditë para transformimit të FSK-së në Ushtri.
Zabeli rrëfehet se si e ka përfunduar Akademinë Ushtarake Tokësore në Turqi, vështirësitë në fillim me gjuhën turke, mandej përvojën e fituar gjatë shkollimit, si dhe emocionet që ka pasur në ditën e formimit të Ushtrisë së Kosovës, por edhe gjëra të tjera.
FaktePlus: Si erdhi ideja për t’u bërë pilot, si mund të bëhesh pilot në shtetin e Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Në vitin e fundit të Akademisë Ushtarake shteti Turk i dha mundësinë FSK-së që pilotët e parë të ushtrisë të shkollohen në Turqi dhe këtë lajm e kam pritur shumë mirë dhe më lindi ideja që unë mund të jem njëri prej pilotëve të parë të Ushtrisë së Kosovës, pasi që kemi kaluar nëpër disa teste dola me rezultat të mirë dhe u përzgjodha që të jem kandidat për pilot në shkollën e Aviacionit Tokësore të Helikopterëve.
FaktePlus: Për sa kohë arritët të bëheni pilot e të realizoni dëshirën tuaj?
Nëntoger Zabeli: Për t’u bërë Pilot Ushtarak unë kam ndjekur shkollimin prej 13 muajve dhe është një periudhe kohore e shkurtër për t’i arritur standardet e kërkuara nga shkolla pasi që ka standarde të larta. Mirëpo, me përkushtim të madh dhe ambicie për t‘u bërë piloti i parë i një ushtrie, ia arrita edhe të përfundoj shkollimin me sukses.
FaktePlus: Sa është e vështirë të jesh një pilot?
Nëntoger Zabeli: Të jesh pilot me të vërtet është e vështirë pasi që ke një përgjegjësi të madhe, si për helikopter e si për pasagjer që janë në helikopter, pasi që jetët e tyre janë në duart tona dhe gjithmonë duhet të jesh i koncentruar maksimalisht në pilotim dhe në kontrollim të hapësirës ajrore.
FaktePlus: Çfarë aftësish kërkohen për pozitën e pilotit në ushtri?
Nëntoger Zabeli: Për pozitën e pilotit në ushtri duhet të jesh së pari oficer i diplomuar nga Akademia Ushtarake dhe pas përfundimit te shkollës së Aviacionit Tokësor për Helikopter në shkollë ushtarake, sepse duhet të mësohen taktikat e lëvizjes nëpër operacione të ndryshme dhe në emergjenca të ndryshme.
FaktePlus: Cila është mënyra më e mirë për t’u bërë pilot?
Nëntoger Zabeli: Mënyra më e mirë është përkushtimi maksimal ,angazhimi, vullneti, por edhe përkrahja nga të tjerët e sidomos nga familja dhe rrethi shoqëror.
FaktePlus: A është e nevojshme një diplomë për t’u bërë pilot?
Nëntoger Zabeli: Po është e nevojshme. Për t`u bërë pilot duhet të kesh të përfunduar shkollën e mesme dhe të pajisesh me diplomë nga akademitë apo shkollat e Pilotëve, pra është e nevojshme diploma . Ajo të vërteton që ti je pilot i diplomuar nga një shkolle që është e licencuar për të nxjerr pilot .
FaktePlus: A skadojnë licencat e pilotëve?
Nëntoger Zabeli: Licenca dhe Diploma për Pilot skadon vetëm atëherë kur nuk bën fluturime me gjatë se 6 vite.
FaktePlus: Na përshkruaj një jave pune si një pilot?
Nëntoger Zabeli: Meqë Kosova nuk ka ende Helikopter dhe nuk i ka pajisjet ,unë si pilot nuk e kam një dite që duhet ta ketë një Pilot. Por, se si duket dita e një piloti mund të tregoj se ajo fillon në mëngjes me një kontroll mjekësore, për ta pasur lejen nga mjeku për të fluturuar që për çdo rast gjatë ditës të jesh i gatshëm për fluturim. Para çdo fluturimi mbahet brifingu ku marrin pjesë pilotët, teknikët dhe skuadra apo ekipi që do marr pjesë në atë operacion apo trajnim. Këtu njoftohen për lëvizjet, hyrjet daljet, qëllimin e atij aktiviteti dhe ju shpërndahen detyrat çdo njërit. Pas përfundimit të aktiviteteve dhe pasi ta ndalet helikopteri, i bën kontrollet që duhet bërë pas fluturimit dhe normal vazhdon me angazhime tjera dhe çdo herë duke e mbajtur veten të freskët me njohurit që nevojiten për pilot.
FaktePlus: Na trego për sfidat dhe eksperiencën tuaj si piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Në Kosovë nuk ka shkollë për pilot ushtarak, mirëpo, pasi që unë kam përfunduar këtë shkollë në Turqi ka qenë shumë vështirë dhe me sfida të ndryshme, pasi që edhe është bërë në gjuhën turke. Kjo ka qenë për mua sfida e parë edhe pse pas përfundimit të Akademisë për 5 vjet mandej nuk kam pas edhe shumë probleme me gjuhën. Mirëpo, kanë qenë krejt terme të reja që nuk i kisha dëgjuar me herët. Është një shkolle e vështirë e ndarë në faza të ndryshme ku për ta kaluar në fazën e ardhshme gjithmonë është dashtë me i kaluar provimet me shkrim si dhe praktike që janë të parapara me rregullore dhe me standarde të shkollës.
FaktePlus: Si e përjetuat transformimin e Ushtrisë së Kosovës, a ka qenë kjo sfidë për karrierën tuaj?
Nëntoger Zabeli: Ka qenë një ndjenjë e mirë e papërshkruar e pritur me vite nga qytetarët e Kosovës. Atë ditë kur janë miratuar ligjet, unë kam qenë në Turqi dhe ndjenja ka qenë shumë e fuqishme se më në fund u arrit një çështje shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës.
FaktePlus: Krejt në fund, na tregoni çfarë ndjenje është të jesh piloti i parë i Ushtrisë më të re në botë?
Nëntoger Zabeli: Të jesh pilot është një ndjenjë mjaft e mirë dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Por, të jesh pilot i parë i ushtrisë së një vendi siç është Kosova kur të gjithë e dimë sakrificat që janë bërë për një ditë të lirë si sot, kjo më jep një emocion të veçantë dhe më bën të ndjehem shumë krenar./FaktePlus