Pikë, presje e zero të shkruara pa vend e lënë Spitalin e Pejës pa bukë e byrekë
Se është e rëndësishme të shkruhet mirë e pa gabime e dëshmon së fundmi edhe rasti që ka ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Për një pikë, disa zero dhe një presje të shkuar pa vend, ky institucion shëndetësor ka mbetur pa bukë e byrekë. Në fakt, për këto “gabime” teknike, spitali është detyruar ta anuloj tenderin për furnizim me ushqime dhe gjithçka do të nis nga e para.
Anulimi i tenderit për furnizim me bukë dhe byrekë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, nuk ka ndodhur për shkak se kompania fituese ishte më e shtrenjtë për gati 3 mijë euro në krahasim me ofertuesin tjetër.
Zyrtarja për Prokurim në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Zylfie Kelmendi ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se anulimi erdhi pasi janë bërë gabime në përshkrim të sasisë për furnizim, e për të cilat ka dhënë mendim edhe eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
“Çështja është se operatori ekonomik, nuk ka plotësuar sasitë. Janë kërkuar 50 mijë copa bukë ai kur ka bërë përshkimin e çmimit ka ndërhy ka bërë 50.00000,00. Do të thotë ka shkuar me decimale. Dhe neve sasia me decimale na është dukur që nuk është në rregull, prandaj kam bërë interpretim në KRPP dhe ka dalë si jo e përgjegjshme. Eksperti e ka shqyrtuar lëndën dhe e ka sjell në favor të ankuesit dhe unë jam pajtuar në mendimin e ekspertit. Tash e kam bërë anulimin e kontratës. Ajo del të premten, por të hënën e njoftoj komisionin që lënda është kthyer në rivlerësim e më pas vazhdojmë me operatorë tjetër”, ka sqaruar Kelmendi.
Mirëpo ndryshe nga Kelmendi që thotë se lënda u kthye në rivlerësim për shkak të kësaj sasie decimale, në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shihet se tenderi i është dhënë kompanisë me çmim më të lartë se kompania tjetër që kishte shprehur interesim për këtë tender.
Fitues i tenderit për furnizim me bukë dhe byrekë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është kompania “Fabrika e Re e Brumeve”, e cila kishte ofertën me vlerë 21 mijë e 808 euro, kurse operatori tjetër ekonomik “Oreksi” Sh.P.K Pejë, kishte ofertën me çmim prej 18 mijë e 944 euro.
Pra, kompania fituese është më e shtrenjtë saktësisht 2 mijë e 864 euro. Kjo bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi që kriteri kryesor për dhënien e tenderit është çmimi më i ulët. E kjo duket se ka shtyrë operatorin ekonomik të ankohet.
E përkundër që është anuluar tenderi, zyrtarja e prokurimit në Spitalin e Pejës thotë se nuk ka rrezik që të mbeten pa bukë e byrekë.
“Nuk do të mbetët spitali pa bukë e byrekë sepse ende ka”, është shprehur Zylfie Kelmendi.
Sipas dosjes së tenderit kërkohet furnizim me 50 mijë copa bukë të tipit 500 gramë, si dhe 5 mijë e 200 byrekë. Theksohet se buka duhet të jetë e pjekur mirë dhe pa adetiv.
Po ashtu është specifikuar se Spitali i Pejës si Autoritet Kontraktues ka të drejtë të bëj inspektime fabrikës apo furrës ku gatuhet buka e cila servohet në spital.
Buka dhe byrekët duhet t’iu dërgohet në spital për çdo ditë, varësisht prej porosisë. Por që furnizuesi duhet ta vendos bukën në gajbe dhe në letër, kështu thuhet në dosjen e tenderit, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
“Fabrika e Re e Brumeve” Sh.P.K edhe në 2018-ën kishte furnizuar Spitalin e Përgjithshëm të Pjesë me bukë e byrekë. Tender ky që kishte kap vlerën e 21 mijë e 248 euro e 15 cent.
Nuk është vetëm Spitali i Pejës që po furnizohet me bukë e byrekë nga kjo fabrikë.
E njëjta fabrikë në 2018-ën kishte furnizuar me bukë edhe pjekurina të saja Spitalin e Gjakovës. Vlera e së cilës kishte qenë 20 mijë e 981 euro. Kështu tregohet në të dhënat e kësaj fabrike që janë publikuar në webfaqen e Prokurim i Hapur.