Pezullohen shërbimet jo urgjente në QKUK, Ministria e Shëndetësisë së shpejti me vendim të ri
Shpërthimi i COVID-19 ka paraqitur probleme e sfida të mëdha për të gjithë botën. E me vështirësi të shumta po përballet edhe Kosova. Për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, sektori publik i shëndetësisë në Kosovë ka pezulluar disa shërbime dhe prej dy muajsh po trajtohen vetëm rastet urgjente. Nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve vlerësojnë se tani është koha që të rifillohet me shërbime, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se po diskutojnë për këtë çështje dhe së shpejti do të merret vendim për kthimin e disa shërbimeve të pezulluara.
Institucionet publike të shëndetësisë në Kosovë tash e dy muaj po përballen me pandeminë e koronavirusit. Lufta e mjekëve kosovar po vazhdon përballë virusit vdekjeprurës dhe për shkak të rrezikut nga infektimi deri tani janë marrë vendime e masa të ndryshme.
Madje Ministria e Shëndetësisë mori vendim që në kohën e shpalljes së gjendjes së emergjencës së shëndetit publik, të selektohen edhe problemet shëndetësore të pacientëve dhe varësisht prej rastit të jepen shërbime.
Pra, në klinikat e QKUK-së në bazë të vendimit të ministrisë, tash e dy muaj janë duke u selektuar rastet e pacientëve dhe jo të gjithë mund të marrin shërbime.
Tashmë kur janë mbushur dy muaj prejse Kosova po përballet me këtë situatë, përfaqësuesi nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra konsideron se zgjatja e kësaj situate mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e pacientëve.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se institucionet shëndetësore tashmë duhet të shikojnë mundësitë për fillimin e trajtimin e pacientëve, pasi tashmë kanë nisur lehtësimet e masave.
“Konsiderojmë që ndërprerja e operacioneve dhe shërbimeve të ndryshme në kohën e rrezikshme të pandemisë ka qenë e arsyeshme, sepse nuk e kemi ditur se si do të jetë gjendja me virusin dhe të gjithë ata pacientë që janë ndalë dmth kanë qenë të rrezikuar që të preken nga virusi. Gjatë asaj kohe është ndalë kimioterapia, pasi ato raste potencialisht mund të preken nga ky virus. Mirëpo tash Ministria e Shëndetësisë duhet të shikoj një mundësi me bërë një alternativë që shërbimet e tjera mos mu ndal”, ka thënë Kodra.
Ai tutje shton se nëse vazhdon selektimi i rasteve edhe për një kohë të gjatë, ka rrezik dhe mund të dëmtohen rëndë pacientët, sidomos ata që janë me probleme shëndetësore kronike.
“Nëse vazhdon ky trend që pacientët mos me marr shërbime për shkak të COVID-19, ne kemi me ardhë në një situatë që nuk kemi me ditë prej kujt po dëmtohet më shumë shëndeti publik, prej virusit apo sëmundjeve të tjera si dhe nga mungesa e shërbimeve”, thotë Kodra, duke shtuar se gjatë këtyre muajve, Shoqata e Pacientëve ka pranuar dhjetëra ankesa nga pacientët.
Për këtë problem me të cilin po përballen qytetarët që kanë sëmundje kronike kanë folur edhe nga Ministria e Shëndetësisë (MSH).
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti tha për FaktePlus se se pavarësisht pezullimit të disa shërbimeve, gjatë kësaj kohe të pandemisë janë trajtuar të gjithë ata që janë me sëmundje të ndryshme malinjë si dhe janë ofruar shërbime të ndryshme.
Ai tha se për këtë kohë 20 mijë trajtime janë bërë vetëm në Klinikën e Emergjencës.
“Me shpalljen e gjendjes së emergjencës së shëndetit publik disa shërbime shëndetësore janë pezulluar si vizita në ambulancat specialistike, dhe gjithashtu edhe operacionet elektive (jo-urgjente). Megjithatë, shërbimet kanë funksionuar dhe është bërë zgjidhje për pacientët të cilët kanë pasur nevojë për shërbime që janë të domosdoshme. Janë trajtuar të sëmurët me sëmundje malinje, janë ofruar shërbime për nënat, shtatzënat dhe fëmijët, pacientëve me sëmundje të rralla u është siguruar terapi dhe janë kryer edhe shërbime të tjera. Një shembull, vetëm Klinika e Emergjencës gjatë kësaj kohë ka pasur rreth 22 000 vizita mjekësore dhe shumë shërbime të tjera”, ka thënë Hoti.
Sido qoftë, Hoti tregon se nga Ministria e Shëndetësisë po diskutohet për këtë çështje dhe së shpejti do të merret vendim edhe për kthimin e disa shërbimeve të pezulluara.
“Në Komitetin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 është diskutuar edhe për hartimin e shpejtë të një plani për rikthim të shërbimeve që kanë qenë të pezulluar më herët në SHSKUK (QKUK dhe Spitalet e përgjithshme) në kuadër të hapjes graduale ekonomike përmes tri fazave që janë bërë publike, nën masat e një kujdesi të veçantë për mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe po ashtu të pacientëve që do të marrin shërbime. QKUK dhe asnjë shërbim tjetër nuk e ka ndaluar asnjëherë punën, përkundër pandemisë, por ka pasur selektim të cilat shërbime duhet të ofrohen gjatë kësaj kohe e cilat me vonë”, është shprehur Hoti.
Nga data 8 shkurt deri më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin KOmbëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 10,387 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.
Prej gjithë këtyre testimeve pozitive kanë rezultuar gjithsej 919 raste, kurse 29 raste përfunduan me vdekje dhe 671 pacientë tashmë janë të shëruar nga Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza. Aktualisht Kosova është në fazën e parë që ka filluar nga 4 maji deri më 18 maj, e dyta nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa faza e tretë hyn në fuqi më 2 qershor, raporton FaktePlus
Sipas kësaj ndarje, në fazën e parë është paraparë të zgjatet orari i lëvizjes nga 1 orë e gjysmë në ditë në 3 orë – sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit e ndarë në dy pjesë nga 90 minuta, para dhe pas dite. Në fazën e parë pritet të hapen ndërtimtaria, patundshmëria, tregtia e automjeteve, tregtia me pakicë e zyrat e konsulencës.
Në fazën e dytë, që fillon më 18 maj nëse situata epidemiologjike në Kosovë është e mirë parashihet riorganizimi i qarkullimit të qytetarëve. Gjithashtu, pritet të lëshohet në funksion tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban, qendrat e thirrjeve dhe hapja e muzeve e galerive.
Në fazën e tretë e cila fillon më 1 qershor pritet që përsëri bazuar në situatën epidemiologjike të riorganizohet lëvizja e qytetarëve, ndërsa gjithashtu pritet të lirohet transporti urban dhe ndër-urban në përgjithësi, taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në arsimin e lartë, hapja e kinemave dhe teatrove, testi i arritshmërisë dhe i maturës dhe hapja selektive e disa sporteve./FaktePlus
Rregullat e reja për të udhëtuar me autobusë në Prishtinë – ja si mund të hipni në urban