Pesë vjet nga rënia e qeverisë LDK-PDK
Sot janë bërë pesë vjet nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës. PDK i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër ishin 34 dhe 3 deputetë abstenuan.
Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa.
Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimit të procedimit për ratifikim në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën.
Seanca është përcjell me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës.
Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit.
Pas votimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, thuhej në njoftim.
Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, ishte themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.
Ky koalicion ishte ndërtuar mbi parimet e ndarjes së posteve dhe pushtetit, që nënkuptonte që PDK të merrte nën udhëheqje postin e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa LDK postin e kryeministrit.
Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave. KP