Pesë QMF në Prishtinë bëhen me aparate që prodhojnë oksigjen me rrymë
Pesë Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë pajisur me aparate oksigjen koncentratorë apo pajisje të cilat prodhojnë oksigjen me rrymë.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, në Klan Kosova ka dhënë më shumë detaje se për çfarë aparatesh bëhet fjalë.
“Aparatet elektrikë për krijimin e oksigjenit ose oksigjen koncentratorët janë aparate të nevojshme dhe të domosdoshme për të gjitha llojet e kujdesit shëndetësor – primar, sekondar dhe terciar”.
“Ne aktualisht kemi gjashtë të tillë, një që ishte ekzistues në Qendrën e Mjekësisë Urgjente dhe pesë të rinj që janë vendosur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe katër Qendra të Mjekësisë Familjare që e kanë fluksin më të madh të pacientëve”.
“Këta oksigjen koncentratorë kanë qenë planifikim i vitit 2019 dhe janë blerë prej të hyrave vetanake të Komunës së Prishtinës. Një aparat oksigjen koncentrator si ky i ka kushtuar 700 euro Komunës së Prishtinës”.
Por, si funksionon ky aparat elektrik që prodhon oksigjen?
“Funksionimi është shumë i thjesht. Mjafton të kemi energji elektrike, sepse ky aparat me anë të rrymës krijon oksigjen. Mundësia e këtij aparati është deri në 10 litra për një minutë që është i mjaftueshëm për shumicën e rasteve që kanë nevojë për oksigjen”.
“Mund të vendoset në hundën e pacientit ose në maskën që vendoset në gojë dhe hundë dhe krijon oksigjen deri në 10 litra për minutë. Mund të përdoret edhe me bombolat e oksigjenit, por kjo formë është më e lehtë. Ne kemi kombinuar të dy format e marrjes së oksigjenit – edhe formën e oksigjenit me bombolë dhe me oksigjen koncentratorë”.