Pesë kryeministrat
Më shumë akuza të ndërsjella e më pak qartësi në vizionin për qeverinë e ardhshme është vënë re në fushatën, e cila realisht ka nisur me të dhënë dorëheqje Qeveria Haradinaj.
Zyrtarisht fushata ka nisur të mërkurën më 25 shtator, ndërsa që aktiviteti i partive politike dhe koalicioneve është vënë re disa javë më herët.
Ndryshe nga zgjedhjet e 2017-s, kur kreun e qeverisë e synuan tre kandidatë, për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në garë janë pesë kandidatë për kryeministër.
Kandidatja për kryeministre të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, në hapje të fushatës ka thënë se “do ta shpëtojë Kosovën nga politikanet kryeneçë”. Ka thënë edhe se Qeveria e saj nuk do të vjedhë përmes “projekteve të asfaltit”.
“Investimi në rini është prioritet yni, prandaj Qeveria e Kosovës do të jetë partneri i rinisë sonë të mrekullueshme. Fokusi i investimit publik do të kalojë nga asfalti, ku e vjedhin, në shëndetësi për qytetarët tanë”, ka thënë ajo para mijëra njerëzve nga të gjitha qytetet e Kosovës të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në hapjen zyrtare të fushatës, shkruan sot Koha Ditore.
Nga qyteti i tij i lindjes në Mitrovicë, ku edhe e ka hapur fushatën kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka premtuar forcimin e raporteve me SHBA-në e disa herë para se fushata zyrtarisht të fillojë në mënyrë të tërthortë është ankuar se kryeministri në detyrë Haradinaj, me të cilin bashkëqeverisi, acaroi raportet me miqtë ndërkombëtarë.