Personeli i ambulancës në Viti në karantinë që nga dje, pret që t’i bëhen testet
11 mjek e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, përfshirë edhe doktoreshën, që nga dje janë izoluar në një prej dhomave të QKMF’së, meqenesë kanë qenë në kontakt me ambientin ku është trajtuar 77-vjeçari, i cili dje u konfirmua se është i infektuar me koronavirus.
Drejtoresha e QKMF’së, Vjollca Kadolli ka thënë se gjendja e stafit është e mirë dhe se deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit.
Kadolli thotë se kanë qëndruar në dhomë gjatë tërë natës dhe se ditëve në vijim do të iu bëhen edhe atyre testet. Thotë se sipas informative që ka marrë, deri tani nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshuar me koronavirus.
“Gjendja e stafit mjekësor është e mirë. Nuk kemi lëvizur fare nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Tërë natën kemi ndejtë në një dhomë. Sapo fola me doktoreshën, s’ka asnjë rast të dyshuar, pra gjendja është e mirë. Edhe neve do të na bëhen testet, pavarësisht se ne s’kemi pas kontakt me pacientin në fjalë, por vetëm me ambientin. Asnjëri prej nesh s’ka shfaq simptoma. Është bë edhe dezinfektimi i krejt objektit”, ka thënë Kadolli.
Ndryshe, dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, raporton Express.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas ministrit Arben Vitia bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77 vjeçe, nga Komuna e Vitisë.
Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.
‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë vetën dhe njëri-tjetrin, që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë./FaktePlus