Përshtypje për filmin “Një tregim Prishtine”
Mbrëmë, në Cineplex Kosova, u dha premiera e filmit ‘Një tregim Prishtine’ me regji të Burbuqe Berishës dhe skenar të Getoara Mulliqi Bojaj. Në rreshtat në vijim do të mundohem t’i ndaj me ju përshtypjet e mia rreth filmit të cilat janë përjetime estetike dhe emocionale të shkaktuara nga të gjitha komponentët e tij, duke filluar nga skenari, regjia, loja e aktorëve e deri tek muzika.
Këto përshtypje do t’i paraqes duke e marrë si pikë vështrimi njërën nga thëniet më të famshme të Leonardo da Vinçit, i cili vlerëson se “thjeshtësia është sofistikimi përfundimtar” (simplicity is the ultimate sophistication). Prandaj, përdorimin e cilësorit THJESHTË do ta barazoj me fjalën SOFISTIKIM, sepse gjërat e thjeshta janë përbërësi i të gjitha gjërave të cilat ne i pranojmë dhe vlerësojmë.
Thjeshtësia është harmonike! Përmes thjeshtësisë, duke qenë përbërësi i gjërave, depërtojmë në thellësinë e tyre, nuk qëndrojmë në sipërfaqe, e duke u futur në thellësi arrijmë esencën e gjësë. Duke e shikuar nga ky prizëm filmin “Një tregim Prishtine” me thjeshtësinë e tij ka depërtuar deri në esencën e shoqërisë dhe produktit të kësaj shoqërie, shtetit!
Skenari – me një thjeshtësi mbresëlënëse e bën hyrjen në film (histori) dhe me po aq thjeshtësi futet deri në esencën e dramës së të gjitha dramave të kësaj shoqërie. Nëse ka vuajtur për dekada filmi shqiptar, ka vuajtur pikërisht nga pamundësia për t’u futur në thellësinë e tematikave që trajton, duke bërë një përmbledhje të problemeve shumë të mëdha e shumë të gjëra, por të cilat vetëm sa mjegullohen duke qëndruar në sipërfaqe, me tendencën për të thënë gjithçka, e në fund duke mos thënë asgjë! Skenari i filmit ‘Një tregim Prishtine’ nuk vuan nga një simptomë e tillë, ashtu siç nuk vuan filmi edhe në të gjitha komponentët tjera të tij.
Ky skenar, jo vetëm mua, por të gjithëve në sallë, pa e vërejtur na mori dhe na futi në thellësinë e tematikës që trajtonte. Të gjithëve na vendosi para pasqyrës dhe na bëri të shikojmë veten dhe realitetin në sy. Pa përjashtim, konstatuam se tematika ishte e rëndë dhe vështirë e përballueshme për ta shikuar deri në fund. Prandaj, atmosfera gjatë shikimit të filmit ishte e rëndë vërtetë.
Të gjithë e përjetonim dramën dhe vuajtjet e personazheve, edhe duke na rrjedhur lotët kohë pas kohe, mirëpo nuk ishim në gjendje që të qeshnim as të ato raste të cilat paraqisnin në mënyrë komike realitetin e jetës të cilën e jetojmë. Sikur kishim frikë të qeshnim. Për mua kjo ishte shenjë se të gjithë ne kishim arritur në gjendjen e katarzës (Catharsis) dhe kishim përjetuar një purifikim emocional.
Në fakt, tematika që po na dukej aq e rëndë, ishte lehtësuar dhe kishte peshën e një puple në raport me realitetin të cilin prej njëzetë vjetësh po e jetojmë çdo ditë, të gjithë ne që ishim në sallë dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë. Filmi po na shfaqte vetëm një rast, por neve po na silleshin nëpër kokat tona me qindra raste të tilla. Ajo që po na dukej e rëndë për ta shikuar, na bëri të kuptojmë se është asgjë në raport me atë që prej dekadash jemi duke e jetuar në realitet.
Loja e aktorëve – po ashtu kishte arritur nivelin e sofistikimit apo thjeshtësisë që na fuste në esencën e emocioneve që cilat përjetojnë pjesëtarët e një familjeje që po përballej me një nga dramat më vështira jetësore, në këtë rast të prindërve të cilëve para syve po ju tretej në çdo sekondë vajza e tyre e vetme.
Thjeshtësia e lojës së vogëlushes Artiola Hamdiaj që luante rolin e një fëmije të sëmurë nga leukemia të fascinonte. Ajo, ishte aq e thjeshtë, aq natyrale, aq spontane dhe aq bindëse, sa që nuk mund të dyshoje në asnjë moment se ishte duke aktruar, por vërtetë besoje se ishte një fëmijë i sëmurë nga leukemia që po e shikoje në ekranin e madh të kinemasë.
Në po të njëjtin nivel të thellësisë, me thjeshtësinë e saj ajo kishte futur edhe dy aktorët e rolit kryesor, Donat Qosjen që luante rolin e babait dhe Teuta Krasniqin që luante rolin e nënës. Donat Qosja, i cili kishte një rol mjaftë dramatik dhe që përbënte një linjë të veçantë të skenarit, sado që po luante një rol me shumë thyerje dramatike dhe me shumë ngarkesë psikologjike dhe emocionale, e kishte sjellë atë në një mënyrë brilante, duke e thjeshtësuar dhe duke e bërë të afërt për secilin shikues.
Drama që përjeton ai, e cila në fund e dërgon në vetëvrasje, shfaq anën më të shëmtuar të shtetit dhe zyrtarit shtetëror që për fat të keq e kemi prodhuar si shoqëri, shëmti e cila çdo ditë po na bën të zhgënjehemi dhe turpërohemi nga vetja, shëmti e cila na ka marrë përpara dhe po na dërgon drejt një çmendurie kolektive.
Në filmin ‘Një tregim Prishtine’ edhe Teuta Krasniqi kishte arritur nivelin e thjeshtësisë dhe mishërimit të saj me karakterin, duke sjellë kështu një nga rolet më të arrira të saj dhe duke e kaluar veten disa herë. Në këtë rol, nuk është ajo Teuta që e keni parë dhe mbase e mbani në mend nga role të mëparshme, sidomos ju që e kujtoni nga seriali Kafeneja Jonë.
Teuta Krasniqi, që gjithashtu kishte një rol po aq dramatik sa të Donat Qosjes, por që përbënte një linjë tjetër të skenarit, me rolin e saj mishëronte anën më të ndritshme të kësaj shoqërie dhe të kombit tonë, duke na dhënë modelin e nënës shqiptare, atë për të cilën mburremi dhe themi se është në themelin e qenies sonë. Roli i saj, shfaq anën racionale të zgjidhjes, atë që me mish e me shpirt përpiqet ta bëjë çdo nënë për ta shëruar fëmijën e saj, por që përballë ka tjetërsimin e bashkëshortit të saj në momentet më kritike të jetës së saj, i cili nuk komunikon me të dhe i vetëm bën edhe të pabërën, shndërrohet në vrasës vetëm e vetëm për të shpëtuar bijën e tij.
Dy rolet, i Teutës dhe i Donatit, shfaqin lakuriq para nesh realitetin në të cilin jetojmë, bashkekzistencën e racionales dhe irracionales së ndërtuar në shtetin tonë. Përfundimisht, jo vetëm këta tre aktorë, por e gjithë kasta e aktorëve ka luajtur për mrekulli dhe meritojnë komplimentet më të mira.
Duke mos u lëshuar në komentimin e çështjeve teknike të realizimit të filmit, e duke përgëzuar komplet ekipin për punën e mrekullueshme sado që me një buxhet tepër të vogël, nuk mund të mos e komentoj muzikën e kompozuar nga Trimor Dhomi, e cila mrekullisht ishte në funksion të filmit dhe fuqizonte skenarin dhe lojën e aktorëve. Ajo për asnjë moment nuk të linte të shkëputeshe nga filmi edhe nëse mbyllje sytë dhe nuk shikoje disa prej skenave me të cilat ishte e vështirë të përballeshe. Muzika ishte në funksion të çdo gjëje.
E lash për fund, por sigurisht ajo është zbatuesja në praktikë e thënies së Leonardo Da Vinçit se “thjeshtësia është sofistikimi përfundimtar” – regjisorja Burbuqe Berisha. Të gjitha fjalët që i shkrova më lartë i dedikohen pikërisht asaj dhe punës së mrekullueshme që ka bërë në filmin “Një tregim Prishtine”. Drama në film nuk është aspak më e lehtë se drama reale jetësore e saj. Prandaj, përveç gjithë fjalëve të thëna më sipër, i them faleminderit për përjetimet estetike dhe emocionale që na ke dhuruar me filmin tënd duke na bërë që ta shohim në një dimension artistik realitetin që po e jetojmë prej dy dekadash!