Përsëri tragjedi në Bejrut, katër të vdekur nga shpërthimi i një rezervuari të gazit
Kryqi i Kuq Libanez ka njoftuar se katër persona kanë vdekur nga shpërthimi i një rezervuari të gazit brenda një ndërtese në kryeqytetin libanez, Bejrut.
Ende nuk është e qartë si ndodhi shpërthimi në lagjen perëndimore, Tariq al-Jadida të premten në mbrëmje. Agjencia shtetërore e lajmeve tha se zjarri shpërtheu brenda një furre buke, në katin përdhesë të ndërtesës.
Sipas raportimeve, shpërthimi është dëgjuar në tërë qytetin, shkruan The Guardian.
Zjarrfikësit arritën që brenda një kohe të shkurtër ta shuajnë flakën dhe i ndihmuan banorët që të largohen nga ndërtesa përmes shkallëve. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe trupat e ushtrisë, të cilët i larguan njerëzit që ishin kureshtarë të shikonin se çfarë po ndodhte.
Sipas një televizioni lokal, më shumë se 30 persona janë lënduar. Një burim spitalor tha se tre fëmijë janë duke u trajtuar për shkak se kanë pësuar djegie.